Anomalia, arsimi profesional pa pajisje për praktikë

Vështirësi në zhvillimin e mësimit praktik në institucionet e Arsimit Profesional ka gjetur Auditori.

Sipas auditorit, posedimi dhe funksionalizimi i punëtorive në ambientet e IAAP-ve konsiderohet i domosdoshëm për realizimin e moduleve profesionale në këto institucione.

Auditori ka theksuar se në bazë të auditimeve që janë bërë në komunën e Prishtinës, Prizrenit dhe Ferizajt nxënësit kanë vështirësi për zhvillimin e mësimit praktik në ambientet e tyre.

“Pajisjet janë të vjetra dhe nuk përkojnë me kërkesat aktuale të teknologjisë. Pajisjet janë jashtë funksionit. Ka mungesë të materialit shpenzues. Kabinetet në shkollat që ofrojnë profile në drejtimet e bujqësisë posedojnë reagjentë me afate të skaduara të cilët paraqesin rrezik për përdorim. Numër i vogël i pajisjeve në profile të caktuara dhe numër i madh i nxënësve”, ka theksuar auditori.

Po ashtu ZKA thotë se disa prej profileve nuk posedojnë fare punëtori/kabinete, e as pajisje për realizimin e mësimit praktik në ambientet e shkollës.

“Një pjesë e IAAP-ve nuk posedojnë fare punëtori apo kabinete (Shkolla “7 Shtatori”, Prishtinë), ndërkaq pjesa tjetër që i posedon punëtoritë apo kabinetet për mbajtjen e mësimit praktik nuk i posedon fare pajisjet e nevojshme për profilet e caktuara”, Në rastin kur posedohen pajisjet, ato nuk janë adekuate për zhvillimin e mësimit praktik për profilet e caktuara (Shkolla “28 nëntori”, Prishtinë; Shkolla “Zenel Hajdini”, Ferizaj; Shkolla “Pjetër Bogdani”, Ferizaj)”, theksohet në raport.

Sipas këtij raporti, gjendje më të mirë për sa i përket zhvillimit të mësimit praktik si rrjedhojë e posedimit të punëtorive me pajisje adekuate dhe funksionale kanë institucionet e arsimit profesional që kanë përgjithësisht drejtime të ekonomisë (Shkolla “Hoxhë Kadri Prishtina”, Prishtinë; Shkolla “Ymer Prizreni”, Prizren; Shkolla “Faik Konica”, Ferizaj) si dhe 4 institucione  që janë nën menaxhimin e Agjencisë (Qendrat e Kompetencës në Prizren dhe Ferizaj; Shkolla “11 Marsi”, Prizren; Shkolla “Shtjefën Gjeqovi”, Prishtinë).

“Disa IAAP janë deklaruar dhe kanë dëshmuar përmes listës së inventarit që një pjesë e konsiderueshme e kabineteve/punëtorive të tyre janë të funksionalizuara me pajisje të cilat janë financuar nga donatorë të ndryshëm. Mirëpo edhe në këto raste janë hasur vështirësi në vënien në funksion të këtyre pajisjeve dhe si rrjedhojë zhvillimin e mësimit praktik”, thotë auditori.

ZKA thotë se kjo pjesërisht ka rezultuar për shkak se një pjesë e këtyre pajisjeve janë të shtrenjta e njëkohësisht kanë kërkesë për material shpenzues që po ashtu është i kushtueshëm.

“Përveç kësaj, ka pasur edhe raste ku shumica e pajisjeve të dhëna donacion nuk janë shfrytëzuar si rezultat i mungesës së përgatitjes së nevojshme të mësimdhënësve për të përdorur pajisjet dhe frikës së tyre se mund t’i dëmtojnë ato”, thuhet më tej.

Sipas auditorit, praktikë e mirë e zhvillimit të mësimit praktik në ambientet e vet është hasur vetëm në shkollën “Hoxhë Kadri Prishtina” në Prishtinë e cila përgjithësisht ofron profile që i përkasin drejtimeve ekonomike dhe juridike.

“Në këtë IAAP mësimi praktik zhvillohet në të ashtuquajturat “firma ushtrimore”. Firmat ushtrimore janë firma të improvizuara në ambientet e shkollës që i mundësojnë nxënësve të përfitojnë shkathtësi praktike me pajisje konkretizuese dhe nën kujdesin e mësimdhënësve”, thotë auditori.

“Aspekti i shkëmbimit të përvojave në mes të IAAP-ve dhe bizneseve, sidomos në aspekt të pjesëmarrjes së bizneseve në punëtoritë e IAAP-ve në formën e ofrimit të ligjëratave apo demonstrimit para nxënësve të funksionimit të pajisjeve të ndryshme, nuk është evidentuar në shumicën e IAAP-ve, me përjashtim të shkollës “Abdyl Frashëri” në Prishtinë dhe shkollës “Faik Konica” në Ferizaj”, është thënë më tej.

Auditori thotë se mungesa e punëtorive apo kabineteve e pamundëson zhvillimin e mësimit praktik në ambientet e IAAP-ve, ndërkaq mungesa e pajisjeve adekuate në punëtoritë/kabinetet e IAAP-ve e vështirëson në masë të madhe zhvillimin e duhur të mësimit praktik.

“E gjithë kjo ndikon që nxënësit të mos jenë në gjendje të përfitojnë aftësitë dhe shkathtësitë e duhura për profesione të caktuara në ambiente të simuluara të punës; të hasin në vështirësi për të kuptuar se ku gjejnë zbatim shkathtësitë e profesionit të caktuar dhe të mos kenë përgatitjen themelore në momentin që i nënshtrohen praktikës profesionale në biznese. Si rrjedhojë të diplomuarit e IAAP-ve nuk janë të denjë dhe të aftë për t’iu përgjigjur kërkesave të tregut të punës”, thuhet më tej.

Auditori ka rekomanduar që institucionet përgjegjëse duhet të sigurohen se institucionet e arsimit profesional, kanë kapacitetet e nevojshme njerëzore dhe financiare për t’iu përgjigjur kërkesave të veçanta të programeve të AAP-ve lidhur me pajisjet materiale dhe shpenzimet tjera që mundësojnë mësimin praktik, si dhe të promovojnë një kulturë përmes së cilës inkurajohet shkëmbimi dhe partneriteti midis tyre dhe bizneseve.

“Të gjitha këto për t’iu mundësuar nxënësve zhvillimin e të kuptuarit mbi zbatimin dhe përdorimin e shkathtësive dhe përvetësimin e aftësive për profesione të caktuara në ambiente të simuluara të punës”, është thënë në fund.