Haxhiu: Raporti i OSBE-së për dhunë në familje alarm për sisitemin e drejtësisë

OSBE ka prezantuar të artën më 02.07.2024 gjetjet e raportit nga monitorimi i gjykimeve të rasteve të dhunës në familje në Kosovë.

Sipas këtij raporti nga janari deri në dhjetor të vitit 2023 janë monitoruar 141 raste.

Të dhënat e këtij raporti u prezantuan nga Ambasadori i OSBE-së, Michael Davenport, i cili u shpreh se dhuna në familje dhe dhuna ndaj gruas mbetet nga format më të pranishme të dhunës dhe shkeljes së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

“Duke u bazuar në raportin tonë të monitorimit të seancave të gjykimit dhuna në familje dhe dhuna ndaj gruas për fat të keq janë në mes formave më të pranishme të dhunës dhe prej shkeljeve më të shpeshta të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe kjo nuk është vetëm në Kosovë por në mbarë Evropën”- ka thënë ambasadori Davenport.

Gjithashtu ambasadori i OSBE-së përmendi edhe 55 vrasjet e grave në Kosovë nga viti 2010 deri më tani nga burrat apo të afërmit e tyre dhe njoftoi për ngritjen e raportimeve në polici për dhunën në familje.

“Është raportuar së 55 gra janë vrarë nga partneret e tyre apo familjarët e afërm nga viti 2010 deri më tani. Raportet e dhunës në familje të raportuara n Polici kanë shënuar ngritje përreth 30% nga viti 2019 në vitin 2023”- ka deklaruar Davenport.

Pjesë e këtij takimi ishte edhe ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, e cila shprehi shqetësimet e saj lidhur me të dhënat e këtij raporti të cilat i konsideroi si të dhëna alarmante për sistemin e drejtësisë në Kosovë.

“Gjetjet e raportit janë një alarm, konsideroj për sistemin e drejtësisë dhe jo vetëm dhe për të gjitha institucionet në Republikën e Kosovës. Duke ju referuar këtij raporti nga 141 raste të trajtuara nga shtatë gjykata në Kosovë vetëm 34% e tyre janë me dënim me kusht dhe gjobë” – ka deklaruar Haxhiu.

Ndërsa, kryetari i Këshillit Gjyqësor Albert Zogaj ka treguar për miratimin e strategjisë për qasje në drejtësi me qëllim që rastet e dhunës në familje të trajtohen me prioritet.

“Kemi miratuar strategji për qasje në drejtësi, këto raste kanë prioritet të lartë edhe në procedura civile edhe në procedura penale”- ka theksuar Zogaj.

Ndërkaq, Kkryetari i Gjykatës Suprem Fjzullah Rexhepi, në këtë takim ka përmendur sfidat me të cilat ballafaqohen.

“Kemi probleme edhe me qendrat për punë sociale me kapacitetin e vogël të tyre, dmth nuk janë në gjendje më i ofru të gjitha shërbimet për të cilat janë të thirrura, kemi probleme me zyrat për mbrojtje të viktimave që kanë kapacitete të ulta dhe shpesh nuk e kanë përgatitjen profesionale”- ka thënë Rexhepi.

Pjesë e kësaj tryeze ishte edhe zëvendëskryesuesja e Këshillit Prokurorial të Kosovës Jehona Grantolli, e cila tregoi për zbatimin e strategjisë nacionale për dhunën në familje.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës po fuqizon mekanizmat e saj brenda prokurorive, ka caktuar dhe është në zbatim të strategjisë nacionale për dhunën në familje”- ka njoftuar Grantolli.

Ndër sfidat kryesore për sistemin e drejtësisë në Kosovë vazhdon të jenë rastet e dhunës në familje të cilat në disa raste kanë përfunduar edhe me humbje jete.