Barcelona konfirmon marrëveshjen për transferimin e Lewandowskit

Barcelona ka konfirmuar edhe zyrtarisht arritjen e marrëveshjes me Bayern Munichun për sulmuesin Robert Lewandowskin.

Pas disa javëve bisedime, Barcelona dhe Bayern Munichu më në fund kanë arritur marrëveshje për yllin polak.

Ishte klubi gjerman që konfirmoi fillimisht marrëveshjen, ndërsa tani disa orë më vonë ka ardhur edhe konfirmimi nga katalunasit.

Barcelona ka shfrytëzuar faqen zyrtare për të konfirmuar marrëveshjen në parim.

“FC Barcelona dhe Bayern Munich kanë arritur një marrëveshje në parim për transferimin e Robert Lewandowskit, në varësi të kalimit të testeve mjekësore dhe nënshkrimit të kontratave të lojtarit”, thuhet në njoftimin e klubit nga Camp Nou.

 

Sulmuesi polak tani do t’i bashkohet Barcelonës për t’i kryer testet mjekësore përpara se të zyrtarizohet si lojtar i ri.

Transferimi i tij thuhet se do t’i kushtojë katalunasve plot 50 milionë euro. /Telegrafi