Komuna e Kamenicës. Foto: Kallxo.com

Komuna e Kamenicës reagon për largimin e qytetarëve për në Kroaci

Ditë më parë dy autobusë me të rinjtë nga Komuna e Kamenicës janë larguar për në Republikën e Kroacisë për të punuar. Dhe kjo gjë është parë si shumë shqetësuese për vet Komunën zyrtarë të së cilës kanë thënë për KALLXO.com se mundësitë që kanë mundësi të pakta për vende të reja të punës.

“Kemi pare ne media lajmin për largimin e të rinjve nga Kamenica për ne Kroaci, përmes vizave të punës. Kjo është shqetësuese por jo e papritur.  Trendi i ikjes së të rinjve nga Komuna jonë nuk është ndonjë përjashtim i trendit të ikjes së përgjithshme të rinisë nga Kosova. Mungesa e vendeve të punës dhe humbja e shpresës janë arsyet kryesore” thuhet në përgjigjet e zyrës për informim të kësaj komune.

“Sipas tyre të gjitha këto zhvillime janë pasojë e politikave jo të mira nga niveli qendror. Komuna dhe Kryetari Kastrati po bëjnë krejt çfarë është e mundshme nga një institucion lokal për të kthyer besimin e qytetareve ne qeverisje, , por duhet të jemi të vetëdijshëm që mundësitë e një Komune si Kamenica janë minimale. Kjo për shkak se demet janë shtresëzuar me vite të tëra dhe ka shume faktorë për këtë gjendje, te cilët varen kryesisht nga niveli qendror”, thuhet tutje në këtë përgjigje.

Tutje sipas zyrtarëve të kësaj Komune është emergjent një plan në nivel shtetëror për të krijuar vende të punës.

“Kamenica ka një diasporë shumë të fuqishme që është integruar në perëndim që nga vitet 90′. Secila familje në Kamenicë ka të afërm jashtë vendit dhe në mungesë të vendeve të punës në Kosovë, sigurisht që aspirojnë të dalin jashtë. Fatkeqësisht, kemi frikë që këto masa nuk janë të mjaftueshme nëse nuk kemi një plan emergjent në nivel shtetëror për rritjen e vendeve të punës dhe zhvillimit ekonomik”, thuhet tutje në këtë përgjigje.

KALLXO.com ka tentuar të marrë informacione nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Zagreb në lidhje më numrin e qytetarëve të Kosovës që kanë viza pune në shtetin kroat, mirëpo deri në publikimin e këtij teksti ata nuk kanë dhënë përgjigje.