Plaku Shpërthen Në Lot: “Ma Vranë se Ma Vranë Djalin, Po Pse Me Ja Djegë Trupin”

Avdi Bytyqin e kanë tradhtuar lotët kur u desh që para të akuzuarve të rrëfejë për vrasjen e djalit të tij, Abedin Bytyqi.

Plaku është thirrur nga prokuroria për të qenë dëshmitar në gjykimin ndaj Murat Ademit, Reshat Ademit, Fadil Fetiu dhe Resmije Bytyqi.

Vëllezërit Murat e Reshat Ademi, akuzohen se më datë 06.10.2016 rreth orës 15;30 minuta në fshatin Peqan të Suharekës, në bashkëkryerje, mizorisht kanë privuar nga jeta Abedin Byqyqin.

Motivi i krimit sipas prokurorisë ishte bashkëshortja e të ndjerit Resmije Byqyqi.

Prokuroria në aktakuzë ka sqaruar edhe veprimet konkrete të secilit. Murat Ademi, sipas aktakuzës, kishte shfrytëzuar situatën kur i ndjeri po kryente disa punime në elektrikë në shtëpinë e Fadil Fetiut. Aty siç përshkruan aktakuza Murati nën kërcënimin e armës e kishte lidhur viktimën. Pasi e kishte lidhur, Murati e kishte hipur viktimën në veturë dhe e kishte dërguar në një vend ku po priste Reshat Ademi. Në këtë vend, siç përshkruhet në aktakuzë, dy të akuzuarit e kanë goditur me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore në trupin e të ndjerit.

Sipas përshkrimit të prokurorisë, të pandehurit nuk ishin mjaftuar me rrahjen kur në mënyrë mizore viktimës ia kishin vënë zjarrin duke i shkaktuar dhimbje deri në shkaktimin e vdekjes. Të akuzuarit më pas e kishin vendosur viktimën në një gropë dhe e kishin mbuluar me dhe.

Aktakuza përshkruan se të pandehurit kishin vazhduar në një takim ku kishin pirë kafe me Fadil Fetiun.

Nga të gjitha veprimet prokuroria i akuzon Murat e Reshat Ademin për veprën penale të vrasjes së rëndë, Fadil Fetiun për moslajmërim të veprës penale ndërsa Resmije Bytyqin shtytje në vrasje.

Prokuroria pretendon se ka prova që bashkëshortja ishte shtytësja e vrasjes.

Prokurori përshkruan se e akuzuara Resmije Bytyqi, në kohë të pacaktuar të vitit 2016, në takimet paraprake të cilat i kishte pasur me të akuzuarin Murat Ademi (djalin e xhaxhait) e ka shtyrë këtë të fundit që ta kryejë veprën penale të vrasjes ndaj bashkëshortit të saj Abedin Bytyqi.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, e akuzuara Resmije, gjatë bisedave me të akuzuarin Murat Ademi, kishte deklaruar se bashkëshorti i saj Abedini po e maltretonte e rrahte, duke i cekur se nëse i njëjti nuk ndërmerr ndonjë veprim do të porosisë ndonjë person tjetër për ta vrarë – eliminuar bashkëshortin e saj. I akuzuari Murat, i shtytur nga fjalët e saja së bashku me vëllaun e tij në bashkëkryerje ndërmarrin veprime me qëllim të privimit nga jeta të tani të ndjerit Abedin.

Rrëfimet e dëshmitarëve

Në procesin gjyqësor, prokuroria për të mbështetur aktakuzën e saj ka planifikuar të thërrasë një varg dëshmitarësh.

I pari në bankën e dëshmitarëve është thirru babai i viktimës Avdi Bytyqi.

“Më ka thirrë reja, nusja e djalit të madh, edhe më ka thënë babë hajde se ka hupë Abedini, i thashë jo oj bijë se nuk është ai njeri që humbë”, kështu e ka nisur rrëfimin plaku.

Ai ka sqaruar që së bashku me dy vajzat e tij kishin shkuar në punëtorinë ku punonte bashkëshortja e të ndjerit Resmija: “I thashë çka u bo qysh me humbë Abedini, ajo e rrehke trupin me dorë edhe thojke e din Naimi (Grulaj), nga aty shkuam në stacion të policisë dhe ka shkuar kohë e gjatë derisa është gjetë trupi i djalit”, tha dëshmitari.

Dëshmitari Avdi Bytyqi, tha se djali i tij tashmë i ndjerë kishte pasur raporte të mira me bashkëshorten e tij sa kishin qenë në bashkëjetesë familjare në fshat, ndërkohë ata ishin ndarë dhe kishin jetuar në banesë në Suharekë.

Derisa dha dëshminë e tij, duke treguar se djali i tij Abedini kishte qenë djalë shumë i mirë dhe se nuk kishte pasur probleme me askënd, shpërtheu në lot në sallë të gjykimit duke thënë “ma vranë se ma vranë djalin, po pse me ja djegë trupin”. Kjo situatë dhe gjendje emocionale e dëshmitarit bëri që trupi gjykues të ndërpresë seancën gjyqësore për disa minuta për t’u qetësuar.

Dëshminë e dha edhe Naim Grulaj, i cili kishte qenë shok i ngushtë me të ndjerin. Ai, tha se një ditë para se Abedini të zhdukej kishin ndejtë së bashku në lokalin e tij në Suharekë.

“Po, më kujtohet kur në lokal ka hyrë Fadil Fetiu dhe ia ka kërku numrin e telefonit dhe Abedini ja ka dhënë numrin e tij”, tha Grulaj.

Dëshmitari, po ashtu tregoi se atë ditë së bashku me Abedinin kishin shkuar në fshatin Peqan, pasiqë Abedini do të punonte diçka në një shtëpi dhe më pas kishin shkuar në fshatin Banjë për të drekuar.

“Të nesërmen e kam thirrë, deri në ora 15;00 ka pas qasje po nuk më është lajmëru, pas orës 15;00 nuk ka pas më telefoni i tij qasje“, tha ai.

Dëshmitari Grulaj tha se si shok i ngushtë që kishte qenë me të ndjerin, asnjëherë nuk i ishte ankuar për ndonjë problem me askënd.

Edhe dëshmitari Bajram Ademi, që ishte babai i të akuzuarës Resmije Bytyqi dhe xhaxhai i dy të akuzuarve tjerë Murat e Reshat Ademi, tha se kishte pasur raporte të mira me dhëndrin e tij tashmë të ndjerë ai e po ashtu edhe vajza e tij.

Sipas dëshmitarit, edhe sot nuk e dinë pse ka ardhur deri te vrasja e Abedinit dhe se nuk ka dyshime në askënd për vrasjen e tij, e aq më pak tha nga të akuzuarit që ishin vajza dhe dy nipërit e tij.

Për raportet e mira familjare, dëshmoi edhe Nurie Bytyqi, motra e të akuzuarës Resmije Bytyqi. Ajo tha se motra e saj, asnjëherë nuk ishte ankuar në Abedinin.

26 Dhjetor 2017 - 17:50

Petrit Kryeziu 26/12/2017 - 17:50
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend