Foto: Organizata PPNEA

Vrasja e rrëqebullit; aktivistët denoncojnë mosveprimin e Prokurorisë së Elbasanit

Qëndra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) është shprehur e zhgënjyer për qëndrimin neglizhues që prokuroria e Elbasanit mbajti në lidhje me denoncimin për vrasjen e një rrëqebulli në gjueti të paligjshme në Elbasan.

Prokuroria e Elbasanit i kërkoi Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan të pushojë çështjen e rrëqebullit të vrarë në gjueti të paligjshme në Elbasan, të denoncuar nga PPNEA.

“Konkluzion i Prokurorisë nuk ka marrë në konsideratë provat e paraqitura nga PPNEA për individin e rrëqebullit të vrarë në periudhën Prill/Maj 2020, i cili më pas u ekspozua në ambjentet e restorantit”, shkruan organizata mjedisore në një deklaratë për shtyp.

Dy vite më parë, në Qershor të 2020, Qëndra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) denoncoi një rast të gjuetisë së paligjshme mbi një individ të rrëqebullit të Ballkanit (Lynx lynx balcanicus), të vrarë, të balsamosur dhe të ekspozuar në ambientet e restorantit “Ke Rrema” në Elbasan.

Gjithsej, në të gjithë shtrirjen e këtij nënlloji në Ballkanin Jugperëndimor, partnerët e Programit për Rimëkëmbjen e Rrëqebullit të Ballkanit, dëshmojnë 14 individë të vrarë ilegalisht që nga viti 2006.

Rrëqebulli boreal është klasifikuar si një specie e egër e rrezikuar në mënyrë kritike për zhdukje nga Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN).

“Pas rreth 2 vitesh hetimesh të ngadalta, çështja e rrëqebullit të Ballkanit të vrarë në mënyrë të paligjshme në qarkun e Elbasanit jo vetëm nuk u zbardh nga Prokuroria,, por përkundrazi Prokuroria i kërkoi Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan të pushojë këtë çështje”, shkruajnë të zhgënjyer aktivistët mjedisorë në deklaratën për shtyp.

Sipas prokurorisë, thuhet se në ambientet e lokalit “Ke Rrema” pas kryerjes së hetimeve nuk janë gjetur kafshë  të balsamosura për të cilat ligji i ndalon, e si pasojë nuk ka fakte penale ndaj të cilave të ngrihet denoncim.

Duke e konsideruar këtë vendim si shpërfillje ndaj jetës së egër, PPNEA i bën thirrje  autoriteteve shqiptare të rishqyrtojnë këtë çështje duke marrë në konsideratë të gjitha provat e denoncuara në Prokurorinë e Tiranës më 5 qershor 2020 dhe Prokurorisë së Elbasanit, në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe me konventat ndërkombëtare që Shqipëria ka nënshkruar./Reporter.al