Foto: REL/AFP

Vota e mosbesimit: Sa vota i duhen Boris Johnson-it që të mbijetojë si kryeministër i Britanisë së Madhe

Deputetët konservatorë në Britaninë e Madhe sot mund të vendosin nëse duan që kryeministri Boris Johnson të mbetet ende lideri i tyre.

Një votim do të mbahet ndërmjet orës 18:00 dhe 20:00 të hënën sipas orës britanike, me një rezultat që do të bëhet i ditur pak më pas.

Pse po ndodh një mocion mosbesimi?

Një numër deputetësh konservatorë kanë dorëzuar letra duke i bërë thirrje zotit Johnson të japë dorëheqjen.

Presioni mbi kryeministrin është rritur që kur detajet e partive që i thyen rregullat e Covid-it u theksuan në një raport, nga nëpunësja e lartë civile Sue Grey. Ajo tha se shumë “nuk duhet të ishin lejuar”.

Çfarë është një votë mosbesimi?

Një përpjekje e deputetëve konservatorë për ta larguar liderin e tyre njihet si votë mosbesimi.

Për të shkaktuar një votim, të paktën 15% e deputetëve në detyrë duhet ta shkruajnë një letër duke thënë se nuk kanë më besim te lideri i tyre.

Duke qenë se aktualisht janë 359 deputetë konservatorë, kjo rezulton në 54 deputetë.

Këto letra i dërgohen Sir Graham Brady, kryetarit aktual të Komitetit të vitit 1922 – grupi parlamentar që përfaqëson të gjithë deputetët konservatorë.

Sir Graham ka njoftuar se pragu është arritur dhe një votim do të mbahet të hënën në mbrëmje.

Si funksionon një votë mosbesimi?

Për të fituar, Johnson duhet ta sigurojë një shumicë të thjeshtë.

Duke supozuar se çdo deputet konservator ka të drejtën e një vote dhe askush të mos abstenojë, Johnson do të ketë nevojë për 180 vota (gjysma e deputetëve të tij, plus një).

Deputetët konservatorë nuk do të duhet të tregojnë se si votojnë, megjithëse disa mund të zgjedhin të dalin publikisht.

Çfarë ndodh nëse Johnson fiton?

Nëse ai fiton, deputetët konservatorë nuk do të lejohen të mbajnë një tjetër votë mosbesimi për një vit, sipas rregullave aktuale.

Megjithatë, ka pasur spekulime se deputetët konservatorë mund të kërkojnë ndryshime, për ta imponuar një tjetër votim më shpejt. Kur u pyet për këtë, Brady tha “teknikisht, është e mundur”.

Është gjithashtu e mundur që nëse Johnson fitonte vetëm me disa vota, mund ta bindë atë të mendojë dy herë nëse ai e ka mbështetjen e mjaftueshme në Parlament.

Çfarë ndodh nëse Johnson humb?

Nëse Johnson humb, atij do t’i kërkohet të japë dorëheqjen dhe do të pasohet një garë lidershipi. Orari për zgjedhjen e udhëheqësit të ri do të vendoset nga Komiteti i vitit 1922.

Përveç zgjedhjes së udhëheqësit të ri të partisë konservatore, fituesi do të bëhej edhe kryeministër.

Kjo do të thotë se një kryeministër i ri i Britanisë së Madhe mund të zgjidhet edhe pa mbajtur zgjedhje të përgjithshme. Sipas sistemit politik të Mbretërisë së Bashkuar, votuesit zgjedhin një parti për të qeverisur dhe jo një individ.

Si do të funksiononte një garë lidershipi?

Kandidatët për udhëheqje kanë nevojë për mbështetjen e tetë kolegëve deputetë konservatorë – një propozues, një zëvendësues dhe gjashtë të tjerë.

Nëse kandidojnë më shumë se dy kandidatë, do të ketë një seri fletëvotimesh:

  • Në raundin e parë, kandidatët duhet të tërheqin 5% të votave për të mbetur në garë (18 deputetë)
  • Në raundin e dytë, ata duhet të tërheqin 10% (36 deputetë)
  • Në çdo raund të mëpasshëm eliminohet kandidati me më pak vota

Kur të mbesin vetëm dy deputetë, anëtarët e Partisë Konservatore në të gjithë vendin do të votojnë për fituesin.

Nëse të gjithë kandidatët përveç njërit tërhiqen (siç ndodhi kur Theresa May u bë kryetare në vitin 2016), kandidati i mbetur bëhet udhëheqës i Partisë Konservatore./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala