VIDEO - Nënë e bijë ruajnë traditën e punës me vek

Derën e kësaj dhome të rrethuara me mure të vjetra e veshje tradicionale Nife Latifaj nga Carrabregu i  Epërm i Deçanit e hap pothuajse çdo ditë për të nisur punën e saj.

 

Zejen e punës me vek ajo e ka filluar që nga mosha 14 vjeçare.

Edhe sot 72 vjeçarja e vazhdon ende traditën e vekut të cilën e ka trashëguar nga e ëma.

Edhe veku në të cilën ajo sot punon ka gati të njëjtën moshë.

“Ky vek është valla i ka nja 60-70 vjet, unë që e di që e kom e nuk e di sa ma përpara e kanë pas. Këta e kom të nënës sime”, thotë Nife Latifaj.

Ajo tregon për KALLXO.com procedurat e  thurjes se punimeve në vek.

“Nuk është zor me punu me vek, mas pari njëherë e tjerrim leshin, e pastrojmë, e “lnurim”, tani e tjerrim prapë e “endim” jashtë në oborr tani “imlojmë” tani i vnojmë në vek edhe i prajmisim. Ma së pari i prajmisim në liq tani prej liqve në shpatë, tani ja fillojmë me e bo. I bëjmë guzhmat me dorë, për shembull qilimat edhe këto pollat ma shumë më guzhma sepse është peni më i trash, e pëlhurat, marhamat me drugëza”, thotë ajo.

Për Nifen, punimi i pëlhurave është më i vështirë për shkak të forcës që kërkon për ta rrahur vekun.

“Më vështirë është me i punu këto pëlhurat, merhamat, shallat, ato është më vështirë me i punu sepse duhesh me pas fuqi ma shumë me i rreh edhe kanë ma shumë me i bo ma gat ma shumë. E kqra e boj ma kollaj është më e lehtë për pleqni teme”, tha ajo.

E bija e Nife Latifaj, Safete Gacaferi ruan ende shpatën 150 vjeçare të vekut të cilën ia ka bartur gjyshja.

“Pasi jemi te veshjet nuk po mundem me e shku pa e përmend edhe shpatën sepse gjithë këtë punë që pe shihni është bërë prej kësaj.  Kur është puna e vekut kur folet prej produktet që bëhen prej vekut janë prej kësaj shpate. Kjo shpatë është e vjetër 150 vite. Kjo shpatë është e gjyshes sime, ajo ka punuar  shumë me vek edhe ka mbajt familje, ka mbajt fëmijet e vet kështu edhe nëna ime e ka përdor këtë shpatë unë e kom marrë me e rujt kujtim në kujtim tyne”, thotë Safetja.

Ajo rrëfen për KALLXO.com se punën me vek e ka traditë familjare por që në ditët e sotme kjo zeje nuk po vazhdohet.

“E kemi në katër faqe pese faqe shkojnë puna e vekut në familjen tonë gjyshja gjyshes, gjyshja nanës e nana mua.  Deri këtu ka ardh (tradita)  po tash e tutje këto vajzat e reja edhe zor vullneti i tyre nuk  është i njëjtë. Po më vjen keq pse mos me marrë këtë zanat sepse është ni zanat që nuk të lënë pa të ardhura”

Safete Gacaferi drejton edhe shoqatën e Gruas në Deçan të quajtur JETA, në ambientet e se cilës ajo ekspozon veshjet e punuara edhe nga gratë e tjera që janë pjesë e kësaj shoqate.

Veshjet tradicionale janë të punuara me vek, shtiza dhe gjilpëra.