Flamuj të Ukrainës, Foto: Presidenca e Ukrainës, ueb-faqja zyrtare

Ukraina kërkon nga NATO-ja vendim të “fuqishëm” në samitin e Uashingtonit

Ukraina dëshiron që NATO-ja të marrë vendim të “fuqishëm” në samitin e NATO-s në Uashington muajin e ardhshëm, pasi Kievi synon ta çojë përpara synimin e vet strategjik për t’iu bashkuar aleancës ushtarake, tha këshilltari për politikë të jashtme i presidentit Volodymyr Zelensky.

Ihor Zhovkva tha për Reuters se Kievi dëshiron që samiti i NATO-s të përfundojë me rezultate konkrete.

“Mendoj se samiti meriton ta ketë një vendim të fuqishëm, përfshirë për Ukrainën. Sepse, nëse i mungojnë vendimet e fuqishme për Ukrainën, samiti do të jetë i kotë”, tha ai në Kiev të hënën vonë.

Ai nuk specifikoi se çfarë mendon se do të sillte një vendim i tillë.

Zelensky, ndërkohë, ka thënë se Kievi duhet të ftohet për t’iu bashkuar NATO-s në samitin e sivjetmë në Uashington, pasi dështoi të marrë ftesën në samitin e 2023-ës në Vilnius, pavarësisht lobimit.

Shefi i NATO-s Jens Stoltenberg dhe Uashingtoni kanë thënë të dyja se nuk presin që 32 anëtarët e aleancës ta ftojnë Kievin për t’iu bashkuar asaj gjatë samitit që mbahet më 9-11 korrik.

Po,r Stoltenberg ka thënë se shpreson se samiti do të tregojë se Ukraina është duke lëvizur më afër anëtarësimit.

Aleatët kanë diskutuar për tekstin e mundshëm të deklaratës së samtit, i cili mund të dërgojë sinjal të tillë, duke deklaruar se rruga e Ukrainës drejt NATO-s është e “pakthyeshme”.

“Ne meritojmë vendim të fuqishëm. Për çdo vendim të NATO-s nevojitet pajtim. Të gjithë ne e dimë këtë, dhe ne e kuptojmë që mbase këtë herë, do të ketë pajtim përsëri në ditën e fundit para samitit”, tha Zhovkva. /REL