Tragjedia në Tetovë, më shumë se 30 zjarrfikës me 7 automjete e kanë shuar zjarrin

Më shumë se 30 zjarrfikës të cilët kanë intervenuar me shtatë automjete për pothuajse gjysmë ore e kanë shuar zjarrin që shpërtheu sonte në spitalin modular në Tetovë.

Siç ka deklaruar zëvendës komandanti i Njësisë kundër zjarreve, Sasho Trajçevski, zjarri ka qenë i madh, ndërsa nga spitali janë nxjerrë edhe viktima, por ajo pritet të konfirmohet zyrtarisht.

“Në orën 21 dhe e dy minuta është lajmëruar për paraqitje të zjarrit në spitalin modular në Qendrën mjekësore- Tetovë. Ekipet për tre katër minuta kanë arrit në vendin e ngjarjes me rreth shtatë automjete dhe mbi 30 zjarrfikës që kemi marrë pjesë në dy anët. Ekipet kur kanë arrit gjithçka ka qenë në zjarr. Ajo është nga brenda, jo nga jashtë. Gjithçka që ka është përdorur nga ana jonë deri në orën 21 e 30 minuta, zjarri është lokalizuar. Në orën 21 e 45 minuta është likuiduar tërësisht. Derisa është shuar zjarri, flakët kanë qenë të mëdha, spitali modular është e gjitha në plastikë, janë  nxjerrë edhe viktima. Nuk mund ta dimë numrin, ende nuk kemi evidencë të shohim sa janë, çka janë. Mendoj se ka edhe një viktimë këtu, ajo është verifikuar, me siguri ka ndërruar jetë. Por ka shërbime që punojnë në këtë dhe duhet a konfirmojnë nga çka dhe si. Ne nuk mund për këtë të japim informacione. Shërbimet do ta vërtetojnë atë”, ka thënë Trajçevski.

Sipas tij, zjarri për momentin është shuar, ndërsa janë përdorë të gjitha mjetet që kanë pasur në dispozicion.

Kryetarja e Tetovës, Teuta Arifi tha se nuk ka informacione për numrin e të lënduarve ose viktimave eventuale.

“Jam e informuar për zjarrin që shpërtheu shumë shpejtë dhe shpejtë është përhapur. Nuk kam informacione për viktima eventuale, për këtë do të informoheni zyrtarisht. Absolutisht ndjej keqardhje pasi bëhet fjalë për njerëz të sëmurë që kanë qenë këtu në mjekim. Jemi në pritje të informacioneve nga policia dhe nga spitali”, ka deklaruar kryetarja e Tetovës, Teuta Arifi.

Në vijim është mbikëqyrja që të vërtetohen shkaqet që sollën zjarrin, raporton RTV21 në Maqedoni.