Foto: Albin Kurti/ Facebook

“Thyejeni heshtjen”: Kurti inkurajon viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës të aplikojnë për status

Kryeministri, Albin Kurti, i ka inkurajuar të gjitha viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që ta thyejnë heshtjen dhe të aplikojnë për marrjen e statusit të viktimës.

Këtë thirrje, ai e ka bërë më 19.06.2024, me rastin e Ditës Ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikt.

Kurti ka bërë të ditur se përmes ndryshimit të ligjit, afati për aplikim për statusin e viktimë së dhunës seksuale gjatë luftës është zgjatur deri më 15 maj 2025.

“Duke ua njohur vuajtjet grave dhe vajzave, burrave dhe djemve të mbijetuar, ne i inkurajojnë që të thyejnë heshtjen për këtë krim lufte”- ka thënë ai.

Kryeministri Kurti ka apeluar për solidaritet nga familjet dhe shoqëria.

“Është detyrim yni i përbashkët t’i përkrahim të mbijetuarat. Të jemi zë i fuqishëm e krah i fortë. Sot dhe përherë”- ka deklaruar ai.

Në kujtim të viktimave që kanë humbur jetën, Kurti ka thënë se duhet të përkulemi me respekt. “Nderojmë të mbijetuarat për forcën e qëndresën e tyre. Angazhohemi për mbështetje institucionale dhe për drejtësi”, është shprehur ai, duke përkujtuar se gjatë viteve 1998-99 në Kosovë dhuna seksuale është përdorur si armë lufte nga Serbia.

Që nga themelimi i Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës në vitin 2017, deri më në fillim të qershorit 2024, 2 mijë e 83 aplikime për status të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës janë dorëzuar në këtë komision, prej të cilave 1 mijë e 650 janë pranuar dhe 316 janë refuzuar.

Ndërkaq, vetëm gjatë këtij viti, 81 persona kanë aplikuar për të marrur statusin e viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës.

Këto të dhëna janë shpalosur në raportimin e komisionit përkatës në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, më 03.06.2024.

Në vitin 2014, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar ndryshimet e nevojshme ligjore, në mënyrë që personave që përjetuan këto krime gjatë luftës, t’u njihet statusi i viktimës së dhunës seksuale, me çka u është mundësuar të marrin pensionin ligjor që arrin në vlerën prej rreth 230 euro në muaj.

Bazuar në deklaratat e zyrtarëve të institucioneve të Kosovës, gjatë luftës së fundit kanë ndodhur rreth 20 mijë raste të dhunimit seksual.

Në korrik të vitit 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shqiptuar dënimin e parë për kryerje të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.