Sot nis manifestimi i Epopesë së UÇK-së

Sulmin e gjerë që e kishte ndërmarrë Serbia në Drenicë për të zhdukur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e kishte koncentruar në Prekaz.

Kështu, në natën e 4 e 5 marsit të vitit 1998, Prekazi ishte rrethuar nga forcat e shumta ushtarake dhe policore serbe.

Sot, më 5 mars u bënë 24 vjet të rënies së komandantit legjendar, Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë.

Që nga viti 1991 deri më 1998, Prekazi dhe Drenica ishin të rrethuar nga forcat paramilitare serbe. Synimi ishte vrasja e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes së tij, për të shuar dhe shtypur rezistencën që familja Jashari me në krye Ademin e Hamzën po ia bënin regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Më 30 dhjetor të vitit 1991 ishte kryer sulmi i parë ndaj familjes Jashari, ndërsa, sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kanë kryer në muajin janar, 1998. Më 22 janar forcat serbe e kanë sulmuar familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i kanë rezistuar. Megjithatë, në këtë betejë që ka zgjatur afër 30 minuta, të plagosura kanë mbetur Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit.

Sulmi i tretë, që ka ndodhur më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 u ka marrë jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit. Këtij sulmi i ka mbijetuar vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia ka dalë që mes datës 5-6 mars të largohej nga rrethina dhe arrin t’i shpëtojë sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila ka parë dhe përjetuar tmerrin derisa ishin duke u vrarë anëtarët e familjes së saj.

Historia e familjes Jashari dhe eksponatet e saj janë vendosur në Muzeun e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në 24-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari, dëshmorëve të kombit si dhe të gjithë të rënëve për liri, Qeveria e Kosovës më 5, 6 dhe 7 mars organizon manifestimin gjithëpopullor “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”. Po ashtu, Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancë solemne me rastin e 24-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, me të vetmen pikë të rendit të ditës për shënimin e këtij përvjetori.

PROGRAMI

5 Mars

– Aktivitete me nxënës në shkollat e Republikës së Kosovës;

– Aktivitete në rrjete sociale të misioneve diplomatike të Republikës së Kosovës;

– Seanca Solemne nëpër të gjitha Kuvendet Komunale;

09:00 Seanca Solemne e Kuvendit e Republikës së Kosovës;

11:00 Rreshtimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës- Kazerma “Adem Jashari”, Prishtinë;

12:00 – 15:00 Ditë e hapur për qytetarët e Republikës së Kosovës Kazerma “Adem Jashari”, Prishtinë;

6 Mars

09:00 Homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”-Prekaz;

12:00 Homazhe në të gjitha komplekset memoriale të Dëshmorëve të UÇK-së;

11:00 – 17:00 Instalacion me fotografi dhe video – Historia e 5, 6 dhe 7 Marsit Sheshi “Skënderbeu”, Prishtinë;

17:00 Akademi Përkujtimore, Salla e Kuqe në Pallatin e Rinisë, Prishtinë;

7 Mars

– Ora e parë mësimore do t’i kushtohet Epopesë së UÇK-së;

18:00 Manifestimi Nata e Zjarreve, koncert në sheshin Adem Jashari, Skenderaj;

18:00 Ndezja e flakadanëve në 7 Zonat Operative të UÇK-së dhe Kazermën “Adem Jashari”.