24-vjetori i masakrës në burgun e Dubravës, Kurti: Kosova nuk harron dhe nuk fal asnjë krim të luftës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë përkujtimit të 24-vjetorit të masakrës në Burgun e Dubravës, tha se qëllimi i Serbisë ishte jo vetëm eliminimi i politik i të burgosurve shqiptarë, por edhe zhdukja e tyre fizike.

Kryeministri Kurti shtoi se Republika e Kosovës nuk harron dhe nuk fal asnjë krim të luftës.

Kurti tha se të burgosurve politikë shqiptarë në Jugosllavi ishin si një kategori më vete, që nuk mund të injorohej dhe as të shmangej, duke përmendur edhe kontributin e Adem Demaçit dhe të Ukshin Hoti, pasi, siç tha Kurti puna e tyre prodhoi organizimin politik dhe ushtarak që e solli çlirimin e Kosovës.

Andaj, tha ai edhe në luftën e fundit, shteti i Serbisë i grumbulloi mbi 980 të burgosur politikë shqiptarë nga të gjitha burgjet, duke i sjellë në burgun e Dubravës, për t’i eliminuar.

“Ky plan dhe kjo ‘zgjidhje përfundimtare’ e ideuar nga Serbia, e bëri burgun e Dubravës një lloj kampi përqendrimi politik, për të burgosurit politikë shqiptarë. Qëllimi ishte jo vetëm eliminimi i tyre politik, por edhe zhdukja e tyre fizike. Se çka ndodhi në burgun e Dubravës mes 19 majit dhe 24 majit të vitit 1999, më së miri e kanë rrëfyer dhe na e rrëfejnë edhe sot dëshmitarët e atyre ngjarjeve, të burgosurit e mbijetuar të masakrës në burgun e Dubravës, që fatmirësisht janë shumë”-tha Kurti.

Më tej, Kurti tha se pavarësisht dëshmive për krimet kryer nga Serbia, nda të burgosurve shqiptarë askush nuk është dënuar.

“Sigurisht, pa qenë i sigurt që 24 më pas, do të shkojmë bashkë në burgun e Dubravës kështu siç erdhëm sot, pikërisht për ta kujtuar masakrën e kryer nga Serbia mbi të burgosurit shqiptarë dhe për ta denoncuar këtë krim lufte të kryer nga shteti serb. Për më tepër që e tëra kjo, po ndodhë në rrethana krejt të tjera: me Kosovën Republikë, me shtetin tonë që po ngritet e po forcohet dhe i cili nuk harron dhe nuk falë asnjë krim të kryer gjatë luftës. Ardhja jonë sot këtu, është një vëmendje e obliguar dhe një kujdes i domosdoshëm për trashëgiminë e luftës së viteve 1997 – 1999 në Kosovë, për drejtësinë dhe para historisë”- tha Kurti.

Masakra në Burgun e Dubravës është kryer prej 19 deri më 24 maj të vitit 1999.

Kjo ishte njëra nga masakrat më të mëdha në Kosovë kundër shqiptarëve nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit. Atë kohë brenda burgut janë vrarë 160 të burgosur shqiptarë dhe janë plagosur më shumë se 300 të tjerë.