Facebook - Foto: REL/Reuters

Rregulla të reja për shpërndarjen e reklamave politike në Facebook, nuk vlejnë për Kosovën

Rrjeti social, “Facebook” ka vendosur rregulla të reja mbi shpërndarjen e reklamave politike duke përfshirë këtu edhe vendet e Ballkanit, por jo edhe Kosovën.

Identifikimi dhe qartësimi mbi burimin e pagesës do të jenë hapa të detyrueshëm për persona që dëshirojnë të shpërndajnë reklama politike që nga mesi i marsit 2020 për shumë vende në botë.

Në një deklaratë që përfaqësuesit e “Facebook” kanë dhënë për disa media të Ballkanit, përfshirë këtu edhe KALLXO.com, janë shpjeguar hapat që duhet të ndërmirren për mundësimin e shpërndarjes së reklamave politike tash e tutje në vendet e Ballkanit.

Veglat e reja megjithatë nuk do të jenë të disponueshme për Kosovën duke bërë kështu që shpërndarja e reklamave politike të mund të bëhet pa nevojë të identifikimit.

Sipas “Facebook”, kjo po bëhet në vazhdën e përpjekjeve që publiku të ketë mundësi t’i mbajë përgjegjës individët, organizatat apo partitë politike lidhur me atë që ata shpërndajnë në rrjetin social, sidomos në kohë zgjedhjesh.

Sara Shif, Menaxhere e Produkteve në “Facebook” ka folur lidhur me veglat e reja për të cilat thotë se nuk janë bërë vetëm për penalizimin e reklamuesve.

“Autenticiteti e bën më të vështirë për akterë të këqinj të keqpërdorin platformën tonë dhe në anën tjetër e rritë llogaridhënien, që njerëzit t’i mbajnë përgjegjës reklamuesit për mesazhet që i shpërndajnë. Kjo nuk bëhet për ta bërë më të vështirë ose për t’i penalizuar reklamuesit për këto reklama. Kjo bëhet për të siguruar se ka përgjegjshmëri prapa fjalimeve të paguara politike në platformën tonë”- tha ajo.

Në ditët në vazhdim Facebook do të detyrojë përdoruesit e rrjeteve sociale “Facebook” dhe ‘Instagram” në rreth 32 vende në botë për të bërë regjistrimin dhe verifikimin e reklamuesve.

Vegla e re përfshin tre hapa kyç në shpërndarjen e reklamave politike. I pari është identifikimi i individit që poston reklamën me mjet identifikues nga shteti përkatës. Hapi i dytë është dhënia e informacionit lidhur me burimin e pagesës për reklamën, çoftë organizatë apo parti 

Për më tepër reklamat e tilla do të mbesin në arkivën e reklamave për 7 vite me rradhë ku publiku do të ketë qasje edhe në informacione të tjera rreth reklamës.

Veglat e reja vijnë në një kohë kur vendet e Ballkanit si Maqedonia Veriore dhe Serbia presin zgjedhje.

“Ne kemi mësuar shumë nëpër shumë zgjedhje nëpër botë dhe jemi shumë të ngazëllyer për të sjellur këto vegla në regjionin tuaj tani (Ballkan), para disa zgjedhjeve të rëndësishme”, deklaroi Shif.

Sipas saj dallimi prej asaj që “Facebook” ka bërë në qershor të vitit 2019 është se këto vegla tani do të bëhen të detyrueshme, për deri sa më parë kanë qenë me vetëdëshirë.

 Kosova ende nuk është pjesë e këtyre ndryshimeve

Kosova ende nuk do të jetë pjesë e rregullativës së re sa i përket reklamave politike.

E pyetur nga KALLXO.com lidhur me mundësinë e funksionimit të veglave të reja në Kosovë, përfaqësuesja e Facebook ka treguar mënyrën se si Facebook vlerëson shpërndarjen e këtyre veglave për vende të ndryshme.

“Ne marrim vendime lidhur me atë se kush ka qasje në këto vegla duke u bazuar në një vlerësim në atë se si njerëzit mund të jenë potencialisht të dëmtuar”, tha Shif.

Ajo shtoi se vlerësimet bëhen edhe në bazë të raporteve të organizatave të ndryshme ndërkombëtare.

“Kështu, ne vlerësojmë nëse reklama e dikujt që mbetet në arkivën e reklamave vendos atë individ në rrezik në aspektin e sigurisë dhe ne punojmë me organizata si “Freedom House” dhe organizata të tjera që na ndihmojnë të kuptojmë se në çfarë tregje mund të ketë dëm për individë nëse reklama vendoset për 7 vjet në arkivë”, shtoi ajo.

Në pyetjet shtesë që KALLXO.com ka adresuar në drejtim të përfaqësuesve të Facebook, ata konfirmuan se Kosova nuk gjendet në listën e vendeve që i afekton rregullativa e re.

“Këto mjete nuk janë të disponueshme në Kosovë tani, por ne gjithmonë jemi duke dëgjuar reagime dhe duke eksploruar se ku mjetet tona mund të jenë të dobishme”, tha  Iam Shigeni, Drejtor i Komunikimeve. 

Ai ka sqaruar gjithashtu se kjo do të thotë që reklamat politike në Kosovë janë të lira për tu sponsorizuar edhe pa nevojën e verifikimit.

“Reklamuesit ose faqet e lajmeve janë të lira të sponsorizojnë postime me përmbajtje politike ose çështje sociale pa identitifikim ”- tha ai.

Vlenë të theksohet se në raportin e fundit të lirive “Freedom House”, Kosova ka koeficientin 56 dhe është “pjesërisht e lirë”.

Në po të njëjtin raport, Serbia ka koeficientin 66 dhe është po ashtu pjesërisht e lirë. Shqipëria ka koeficientin 67 dhe është po ashtu pjesërisht e lirë.