Petkoviq e quan fushatë zgjedhore ndalimin e hyrjes së tij në Kosovë

Drejtori i Zyrës serbe për Kosovën, Petar Petkoviq ka reaguar pasi i është ndaluar hyrja në Kosovë.

Petkoviq ndalimin e tij e ka quajtur marketing politik në prag të fushatës zgjedhore në Kosovë, raporton Kossev.

“Është e qartë se fushata parazgjedhore në Prishtinë filloi edhe para afatit ligjor dhe se serbët janë përsëri shënjestrat kryesore. Veprimet e politikanëve shqiptarë tregojnë se marketingu politik është më i rëndësishëm për ta sesa jeta dhe siguria e njerëzve. Në të njëjtën kohë, kjo sjellje e Prishtinës tregon se Bashkimi Evropian nuk është në gjendje të sigurojë respekt për marrëveshjet e arritura, përfshirë atë për lirinë e lëvizjes, “tha Petkoviç në një deklaratë.

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Meliza Haradinaj-Stublla mbrëmë ka shkruar se Petkoviqit i është refuzuar kërkesa për vizitë në Kosovë.

“Pas interesimit të medieve, njoftoj opinionin publik se edhe sonte MPJD ka refuzuar kërkesën e zyrtarit serb Petar Petkoviq (i ashtuquajtur ‘drejtor në zyrë për Kosovën’) për vizitë në Republikën e Kosovës”, ka shkruar Haradinaj-Stublla.