Përfaqësuesit e korit diplomatik të gatshëm për të ndihmuar Kosovën

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka pritur në takim një pjesë të korit diplomatik të akredituar në Kosovë.

Kurti, bashkë me ministrin në detyrë të Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, ka mbajtur një takim të përbashkët me ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë, Chryssoula Alifer, të ngarkuarin me punë i Ambasadës japoneze në Kosovë, Mitsunori Ogasawara, shefin e Zyrës Ndërlidhëse të Rumanisë në Kosovë, Daniel Onişor, shefin e Zyrës Ndërlidhëse të Sllovakisë në Kosovë, Rastislav Kostilník dhe ambasadoren e Suedisë në Kosovë, Karin Hernmarck Ahliny.

“Në këtë takim, Kryeministri në detyrë i njoftoi ata mbi situatën në vend pas përhapjes së virusit COVID-19, masat e ndërmarra deri më tani nga Qeveria. Theks i veçantë u vë mbi pakon fiskale emergjente të hartuar nga Qeveria në detyrë”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Përfaqësuesit e korit diplomatik kanë dhënë vlerësime pozitive për punën e bërë deri më tani për parandalimin e coronavirusit.

“Ambasadorët dhanë vlerësimet e tyre pozitive për punën e Qeverisë dhe institucioneve të Republikës së Kosovës në ballafaqimin me pandeminë COVID- 19, dhe në të njëjtën kohë shprehën gatishmërinë dhe vullnetin për ta ndihmuar Republikën e Kosovës në çfarëdo forme”, thuhet tuje aty.

Sipas njoftimit Kurti ka shprehur falënderimet dhe mirënjohjen për ndihmën e vazhdueshme që komuniteti ndërkombëtar po i jep Kosovës për menaxhimin dhe tejkalimin e kësaj sfide të përbashkët.

Momentalisht në Kosovë nga coronavirusi janë të Infektuar 362 persona, prej të cilëve janë shëruar 59, ndërsa kanë vdekur 8.