Foto: MI

Parashikimi i motit për sot dhe nesër

Instituti Hidrometorologjik i Kosovës informoi se bora do të vazhdojë të bie edhe në pjesën e parë të javës, por intensitet i saj do të dobësohet nga dita e martë.

Sipas IHMK-së, mot i paqëndrueshëm dhe me temperatura nën vlerat e mesatareve do të vazhdojë deri ditën e enjte.

Tutje, do të ketë rritje graduale në fushat termike.

“Ndonëse jemi futur zyrtarisht në stinën e pranverës me 20 mars, ky mot po i ngjanë një dimri të hershëm apo pranvere të vonuar. Kjo situatë e parashikuar meteorologjike nuk na ka habitur, sepse sipas statistikave që kemi në IHMK, borë ka rënë edhe në pjesën e parë të muajit prill. Bora e cila po bie, aty ku ka mbulesë të tërësishme, do të jetë në favor të kulturave bimore, pasi që do të jetë një mbrojte nga ngricat që do të jenë prezent gjatë kësaj jave”, informoi IHMK.

Sa i përket situatës biometeorologjike, ajo mbetet e pafavorshme për personat me sëmundje kronike, ndërsa cilësia e ajrit, sipas parashikimeve, paraqitet relativisht e mirë për shkak të aktivitetit të vazhdueshëm të elementeve meteorologjike.

Temperaturat minimale gjatë pesë ditëve të ardhshme do të lëvizin ndërmjet -4 deri 0 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 2-11 gradë Celsius.

Sipas parashikimeve, do të fryjë erë nga veriperëndimi dhe jugperëndimi me shpejtësi 1-9m/s.