Pacientët në Obiliq pritet të furnizohen me insulinë pas interesimit të KALLXO.com

Qytetarët e Obiliqit të cilët kanë nevojë për insulinën e llojit Novomix duhet të trokasin dyerve të barnatoreve për të blerë atë, pasi që Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare nuk është furnizuar me këtë lloj të insulinës.

Në lidhje me këtë KALLXO.com ka kontaktuar drejtoreshën e Shëndetësisë në këtë komunë, Vlora Kabashi.

Ajo thotë se tash e tre ditë janë në mungesë të këtij lloji të insulinës.

“Është dita e tretë që Novomix (lloj i insulinës) nuk gjendet në QKMF. Sipas njoftimeve nga Ministria e Shëndetësisë sot gjatë ditës do të furnizohemi edhe me këtë lloj të insulinës”, tregon ajo.

Një deklaratë të tillë po e kundërshton një përdorues i insulinës nga kjo komunë, i cili thotë se QKMF ka më shumë se një muaj që është në mungesë të kësaj insuline.

“Po kalon muaji i dytë dhe jemi në mungesë të insulinës, nuk e di cka është në pyetje. Po më duhet me ble”, u tha qytetari për KALLXO.com.

Ai tutje tregon se po detyrohen që këtë insulinë të blejnë nëpër barnatore e çmimi i saj sillet nga 6-7 euro.

“Po duhet me i ble në barnatore, gjashtë euro apo shtatë euro duhet me ble. Një insulinë në pesë apo gjashtë ditë e përdori”, tha ky qytetar.

Më vonë qytetari ka lajmëruar se insulina është siguruar, pas interesimit të KALLXO.com.

“Tash po pritet me u furnizu. I paskan thirr në QKMF (ministria) për me shku me i marr në depo”, ka thënë ky qytetar.

KALLXO.com dy muaj më parë pati raportuar për të njëjtin problem, ku edhe atë herë pati mungesë të këtij lloji të insulinës.

Në kohë të pandemisë pacientët në Obiliq mbesin pa insulinë