Në kohë të pandemisë pacientët në Obiliq mbesin pa insulinë

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Obiliq tash e dy javë ka mungesë të insulinës Novomix.

Të gjithë personat e sëmurë nga diabeti apo sheqeri në gjakë janë të detyruar të trajtohen me insulinën Novomix, por tash e dy javë në këtë QKMF ka mungesë të këtij lloji.

Një qytetarë nga kjo komunë ka shkruar në adresën e KALLXO.com ku thotë se është detyruar vet të blej këtë lloj të insulinës, e cila kushton rreth shtatë euro.

“Gati një javë rregullisht kam shku (në QKMF) ose i kam thirrë, problemi është se po detyrohemi me e ble (insulinën) kjo vetëm në Kosovë ndodh. Unë kam ble vet insulin gjashtë apo shtatë euro kushton vetëm një”, ka shkruar qytetari.

Mungesën e insulinës Novomix e ka konfirmuar edhe drejtori i QKMF-së në Obiliq, Haki Jashari.

Drejtori tha se zakonisht kanë mungesë të insulinës Novomix, është njëra nga insulinat që nevojitet më së shumti.

“Zakonisht ka mungesë të insulinës Novomix. Këtë muaj e kemi pas problemin më të madh”, tha Jashari për KALLXO.com.

Sipas, drejtorit furnizimi i QKMF-së është kompetencë e Ministrisë së Shëndetësisë jo e tyre.

Por, tutje ai theksoi se në kohën e pandemisë kanë shpërndarë insulina nëpër shtëpi ku do të ka qenë nevoja.

Përveç furnizimit jo të mjaftueshëm për barnat e shqerit në gjakë në këtë QKMF ka mungesë edhe të barnave për hypertension apo tensionit të lartë.

Personave me sëmundjen e diabetit apo sheqerit në gjakë përmes insulinës së Novomix iu stabilizohet gjaku.

KALLXO.com ka dërguar pyetje Ministrisë së Shëndetësisë në lidhje me këtë por të njejtit nuk kanë kthyer përgjigje.