Organizata INSID fillon fushatën kundër ekstremizmit

Organizata INSID ka filluar fushatën vetëdijesuese kundër ekstremizmit me temën ‘MENDO’ që ka për qëllim të arrijë tek ata njerëz që mund të jenë në rrezik dhe që kanë nevojë për mbështetje.

Sipas komunikatës së organizatës, kjo fushatë do të ndajë përvojat personale të disa individëve që kanë qenë të radikalizuar më parë dhe tani duan të tregojnë rrëfimet e tyre për t’u ndihmuar të tjerëve me të njëjtat përvoja të vështira.

Organizata ka ndarë edhe një rrëfim të Albert Berishës dhe rrezikun që iu kanos pasi ra pre e terroristëve.

Në vitin 2013 Albert Berisha u bllokua në Siri, jeta e tij u vë në rrezik nga terroristët islamistë ku ai kishte rënë pa dashje.

Por, si arriti deri atje një qytetar i Prishtinës pa trajnim të mëparshëm ushtarak apo pa ndonjë lidhje me ekstremizmin?

Sipas rrëfimit, si shumë të tjerë para tij, Alberti u manipulua nga rekrutuesit ekstremistë. Përmes një procesi të radikalizimit që ishte sajuar për të mashtruar dhe manipuluar, rekrutuesit shfrytëzuan brengën e Albertit për vuajtjet e popullit të Sirisë dhe instinktin e tij për të ndihmuar.

Edhe pse ia doli të arratisej, Alberti vuajti dënimin me burg kur u kthye në vendlindje.

Në komunikatën e organizatës, përveç tregimit të Berishës thuhet se fushata ‘THINK’ e organizatës INSID synon të rrisë ndërgjegjësimin për kërcënimin që paraqet rekrutimi ekstremist dhe të theksojë mbështetjen që INSID dhe organizata të tjera mund t’u japin atyre njerëzve që mendojnë se mund të kenë nevojë për ndihmë.

Bashkëthemeluesi i INSID-it, Albert Berisha, tha se kjo fushatë do të parandalojë rënien e të rinjve në grackën e ekstremizmit.

“Sot është një ditë të rëndësishme për INSID-in dhe të gjithë ata në Kosovë dhe anembanë botës që punojnë për t’i parandaluar të rinjtë tanë nga rënia në grackën e ekstremizmit. Mesazhi ynë është: “Mos bjer në grackën e tyre!” E di nga përvoja ime, nga dora e parë, se sa lehtë mund të manipulohen dhe të mashtrohen të rinjtë. Pasojat janë tragjike për shumë njerëz. Unë dhe pjesa tjetër e ekipit të INSID-it jemi përkushtuar të bëjmë çdo gjë që mundemi për t’u ndihmuar të rinjve që të mendojnë nëse dikush përpiqet t’i radikalizojë dhe t’u ofrojmë mbështetjen tonë atyre njerëzve që duan mbështetjen tonë”, u shpreh Berisha.

INSID është organizatë udhëheqëse jofitimprurëse me seli në Prishtinë, që u ofron mbështetje të rinjve në rrezik nga radikalizimi.