Njësitë ilegale bankare, Policia e Kosovës sërish kontrolle në Mitrovicë të Veriut

Policia e Kosovës është duke zhvilluar një kontroll në një nga njësitë e të ashtuquajturës “Bankë Postare e Kursimeve” (Banka Postanske Stedionica) në Mitrovicë të Veriut.

Kjo pasi në të ka mbetur edhe një kasafortë pa u kontrolluar, teksa sot (29.05.2024) zyrtarët policorë kanë filluar që të kontrollojnë atë.

Lajmi për KALLXO.com është konfirmuar nga zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani.

“Në njërën nga 6 lokacionet që tashmë i kemi pasë bastisur, ka mbetë një sef (kasafortë) pa u kontrolluar sepse nuk e kemi pasë çelësin. Sot e kemi marrë çelësin dhe e kemi kontrolluar edhe këtë sef. Nuk ka zhvillim të ri të situatës, por veç jemi marrë me një vend që tashmë e kemi nën kontroll”- tha Elshani.

Policia më 20.05.2024 ka zhvilluar një aksion në veri me ç’rast ka mbyllur gjashtë njësi të të ashtuquajturës “Bankë Postare e Kursimeve”.

Sipas një komunikate për media, ky operacion rezultoi me konfiskimin e provave të ndryshme materiale siç janë rreth 1.6 milion euro, mbi 74 milionë dinarë (rreth 630 mijë euro), mbi 19 mijë franga e mbi 13 mijë dollarë amerikanë.

“Operacioni policor i realizuar  në veri të vendit, ku u mbyllen gjashtë njësi ilegale të të ashtuquajturës ‘Bankë Postare Kursimore’, rezultoi edhe me konfiskimin e provave të ndryshme  materiale siç janë; Rreth 1.600.000 euro, Rreth 74.700.000 dinar, Rreth 19.500 franga, Rreth 13.800 dollar amerikan, Rreth 40 dollar australian. Dokumentacione dhe prova relevante që ndërlidhen me rastin” – thuhej në komunikatë.

Policia ishte thëë se gjashtë filiale të të ashtuquajturës “Bankë Postare Kursimore” në veri të vendit janë mbyllur dhe në objektet e tyre janë vendosur shenjat zyrtare për mbylljen e tyre, përderisa të gjitha veprimet e mëtejme policore do të realizohen në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.

Banka Qendrore e Kosovës më 13.05.2024 ka bërë të ditur se e ka përmbyllur periudhën tremujore transitore për zbatim të lehtësuar të rregullores për operacione me para të gatshme, që ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave.

BQK-ja thotë se i ka licencuar tetë degë të institucioneve financiare në komunat me shumicë serbe, në Leposaviq, Zveçan, Graçanicë, Shtërpcë dhe një në Shillovë të Gjilanit.

Më 01.02.2024 në Kosovë hyri në fuqi një Rregullore e BQK-së, e cila ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave.

Për çështjen e dinarit serb, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë kanë zhvilluar edhe takime në të kaluarën, të cilat kanë përfunduar pa ndonjë përparim.

Me Rregulloren e BQK-së, euroja është caktuar si valuta e vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave.

Aksioni i Policisë së Kosovës në veri të vendit, konfiskohen 1.6 milion euro, mbi 74 milionë dinarë e monedha të tjera

Shënim: Artikulli është edituar më 29.05.2024, në ora 16:00 dhe i është shtuar citati i plotë i Veton Elshanit nga Policia e Kosovës.