Nga kalldrëmi në beton: Historia e rrugëve të Prishtinës në një aplikacion

Është lansuar të mërkurën aplikacioni për telefon ‘PrishtinaEcë’.

Përmes kësaj platforme, qytetarët e Prishtinës mund të marrin njohuri mbi historinë, trashëgiminë, arkitekturën lokale duke u bazuar në përvojat dhe kujtesën e banorëve të këtij qyteti.

Drejtoresha e Oral History Kosovo, Erëmirë Krasniqi, tha për KALLXO.com se janë realizuar rreth 80 intervista të gjata me persona të ndryshëm të cilët kanë njohuri për kryeqytetin.

“Të gjithë të intervistuarit/at kanë ndarë me neve arkivat e tyre fotografike private, por po ashtu kemi konsultuar arkivat publike. Të gjitha fotografitë nga periudhat e ndryshme, personale në kualitet, janë përdorur për të ndërtuar rrëfimin e qytetit. Ndërsa, intervistat e gjata janë arkivuar në arkivin”, u shpreh Krasniqi.

Ndërsa ajo pret që të ketë interesim nga qytetarët për aplikacionin sepse, sipas saj, është mënyrë e lehtë dhe e qasshme për të mësuar mbi qytetin.

“Ka shumëçka  për t’u mësuar dhe hulumtuar në këtë aplikacion, andaj mendoj që do të ketë interesim sepse është mënyrë e lehtë dhe e qasshme për të mësuar mbi qytetin. Vetëm në ditën e parë 320 shkarkime të aplikacionit janë bërë”, tha ajo.

Ky aplikacion përmban katër ‘walks’ apo ecje, që tregon transformimin e qytetit nder vite, prej një qyteti të bukur me kalldrëm deri te një qytet me plot beton, siç e ka marrë fizionominë në vitet e pasluftës.

Aplikacioni ‘PrishtinaWalks’ (Prishtina Ecë) do të shërbejë si hartë interaktive në tri gjuhë dhe posedon video, fotografi dhe tekst dhe është i qasshëm në sistemin ‘Apple’ dhe ‘Play Store’ pa pagesë.

Aplikacioni përbëhet nga katër Shëtitje tematike: Nga a la Turca në a la Franga; Asfalt për përparim; Të 90-tat e gjata; dhe Memoryscapes, të cilat përmbajnë gjithsej tetëdhjetë e katër vendndodhje të ilustruara nga njëqind e dhjetë video të shkurtra që zbulojnë qytetin nga perspektiva e banorëve të vet.