Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Miratohet vendimi për themelimin e grupeve punuese për projektet e Listës Prioritare të Projekteve Infrastrukturore

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur takimin me Komisionin për Planifikim Strategjik, ku u diskutua dhe miratua vendimi për themelimin e grupeve punuese sektoriale për mjedisin dhe energjinë për përzgjedhjen e projekteve që do të përfshihen në kuadër të Listës Prioritare të Projekteve Infrastrukturore (LPP).

Bashkimi Evropian është duke u ofruar të gjitha vendeve të rajonit fondet e IPA për periudhën 2021-2027, të njohura si IPA III, vlera totale e të cilave është mbi 14 miliardë euro. Prej tyre, 9 miliardë euro do të kombinohen me 20 miliardë euro huadhënie, për të financuar projekte infrastrukturore ashtu që të përkrahet zbatimi i Planit të BE-së për Ekonomi dhe Investime në Ballkanin Perëndimor, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Si pikë e dytë e rendit të ditës në këtë mbledhje u diskutua dhe u rikonfirmua zbatimi i Kornizës Kombëtare për Menaxhim dhe Planifikim Strategjik.

“Qëllimi i Kornizës është që të vendoset disiplina për atë se si bëhet planifikimit dhe si mekanizmat menaxhues sigurojnë se ajo që planifikohet merr formë të zbatimit dhe të njëjtat do të monitorohen dhe raportohen. Kjo do të kërkojë fuqizimin e llogaridhënies përmes praktikës së mbledhjes së të dhënave që mundëson raportimin kundrejt objektivave për të kthyer të dhënat në informacion të përdorshëm në nivel të qeverisë”, thuhet në komunikatë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në përmbyllje të takimit ka theksuar se karakteri i planifikimit tregon karakterin e qeverisjes.

“Për këtë duhet të përkushtohemi në mbështetjen e procesit duke krijuar dhe integruar sistemet e informacionit të planifikimit dhe buxhetimit në mënyrë që mbledhja dhe prezantimi i informacionit të jetë i lehtë dhe transparent”, ka thënë Kurti.