Me dhunti por ‘të injoruar’

Sistemi i edukimit në Kosovë është i ndërtuar ashtu që t’i përshtatet nxënësit mesatar dhe në shumicën e rasteve nuk arrin të plotësojë nevojat e fëmijëve me inteligjencë të jashtëzakonshme, dhunti e talente.

Cilësia e sistemit arsimor në Kosovë ka marrë kritika të shtuara vitet e fundit, veçanërisht pas rezultateve zhgënjyese që nxënësit kosovarë kanë shënuar në testet e standardizuara ndërkombëtare, duke përfshirë atë të PISA-s.

Por nuk janë vetëm nxënësit që shënojnë rezultate të dobëta. Në vitin 2019, Indeksi i Kapitalit Njerëzor mati cilësinë e arsimit të ofruar dhe rezultatet nuk ishin më pak shqetësuese.

Sipas Indeksit të Kapitalit Njerëzor, ndërsa nxënësit kosovarë pritet të kalojnë 12.8 vjet arsim deri në moshën 18 vjeç, kur faktorizohet se çka ata mësojnë gjatë këtyre viteve, shumica e nxënësve i nënshtrohen vetëm 7,7 viteve të mësimit cilësor, duke krijuar një hendek me më shumë se pesë vite në arsimin e tyre të detyrueshëm.

Sidoqoftë, një aspekt i rezultateve të  këtyre testeve që nuk është theksuar janë nxënësit që kanë shënuar mbi mesatare. Përderisa në një nivel kombëtar Kosova u rendit në pesë vendet e poshtme, një pjesë e vogël e nxënësve Kosovarë shënuan mes niveleve më të larta të aftësive në të gjitha fushat.

Nxënës të shumtë kosovarë kanë treguar sukses të jashtëzakonshëm në gara ndërkombëtare. Vetëm në vitin 2019, nxënësit kosovarë kanë fituar një medalje argjendi dhe dy medalje bronzi në Garën Ndërkombëtare të Matematikës (IMC 2019) dhe katër medalje bronzi në Olimpiadën e Gjeometrisë së Iranit (IGO 2019).

Këta nxënës, të cilët kanë treguar talent të jashtëzakonshëm në gara ndërkombëtare, gjithashtu u janë ofruar mundësi studimi dhe bursa në universitetet më prestigjioze në botë si Princeton dhe Yale, ku ata vazhdojnë të tregojnë potencial të jashtëzakonshëm dhe rezultate të prekshme.

Por këto rezultate shpesh nuk arrihen për shkak të mbështetjes që u është ofruar atyre në shkolla. Ata janë arritur pavarësisht mungesës së saj.

Organet joqeveritare siç është Instituti ATOMI punojnë në identifikimin dhe mbështetjen e fëmijëve me dhunti dhe potencial të jashtëzakonshëm intelektual. Deri më tani, përmes testeve të standardizuara ndërkombëtare, ATOMI ka identifikuar mbi 300 fëmijë me inteligjencë të jashtëzakonshme, të cilët janë të talentuar në shumë fusha. Këta fëmijë përfitojnë mbështetje në nivel akademik si dhe emocional e social.

Kur flasim për nevojat e veçanta të nxënësve të cilat sistemi edukativ duhet t’i adaptojë, tendenca është që të përqendrohen te studentët me vështirësi në të nxënë ose aftësi të kufizuara, ndërsa fëmijët me nevoja të veçanta për të përmbushur potencialin e tyre të jashtëzakonshëm intelektual kryesisht injorohen.

Një nga arsyet themelore mbetet ideja se ofrimi i kushteve të veçanta për fëmijët me dhunti perceptohet si veprim elitist, duke ndikuar që këta nxënës të mos marrin mbështetjen e nevojshme për të përmbushur potencialin e tyre të plotë intelektual.

Sipas Besmira Thaqi-Bahtirit, Zyrtare për nxënës me nevoja të veçanta arsimore, pjesë e Divizionit të Edukimit me Nevoja të Veçanta në MASHT, ekziston nevoja për të kapërcyer këtë mentalitet për hir të zhvillimit të fëmijëve.

“Ekziston ideja që këta fëmijë mund të arrijnë sukses vetë dhe nuk ka nevojë që mësuesit të përqendrojnë energji shtesë në zhvillimin e tyre. Sidoqoftë, realiteti tregon të kundërtën pasi këtyre nxënësve u nevojiten lloje të ndryshme të mbështetjes dhe programeve për t’iu përshtatur nevojave të tyre.” argumenton Thaqi-Bahtiri.

Nevojat e nxënësve me dhunti bien në dy kategori, atë akademike dhe atë emocionale e sociale. Në arsim, këta nxënës shpesh nuk stimulohen sa duhet nga kurrikulat e rregullta shkollore, ndërsa për sa i përket aspekteve emocionale dhe sociale, ata shpesh nuk janë në gjendje të kuptojnë universalitetin e përvojës dhe problemeve të tyre.

Psikologët në institutin ATOMI besojnë se nocioni që studentët me dhunti janë mjaft të zgjuar për të arritur sukses vetvetiu është një mit.

“Ky mit nuk është i rastësishëm pasi ka studentë me dhunti që janë në gjendje të kenë sukses me shumë pak mbështetje për shkak të karakteristikave të personaliteteve të tyre, rrethanave në të cilat janë zhvilluar dhe faktorit të “fat”-it,” argumenton Naime Hoxha, psikologe në Institutin ATOMI. “Megjithatë, kur flasim për nxënësit me dhunti në përvojën e [ATOMI-t], kemi vërejtur se është e pamundur të arrihet potenciali i plotë pa mbështetje shtesë nga institucionet arsimore, organizatat, ose individë të tjerë.”

Mbështetja e shtetit

Ligji për arsimin para universitar 2011 në Republikën e Kosovës thotë se nevojat e veçanta arsimore të nxënësve gjithashtu përfshijnë fëmijët me dhunti. Këta nxënës mund të kenë nevojë për modifikime në modelin normal të sistemit të arsimit të detyrueshëm, përfshirë programin mësimor. Sidoqoftë, si shumë nene të tjera të ligjit, zbatimi i artikullit për arsimin special mbetet pjesërisht i përmbushur.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka publikuar një plan strategjik gjithëpërfshirës për zhvillimin e arsimit në Kosovë për 2017-2020, me një përqendrim të shtuar në gjithëpërfshirje. Parimi i gjithëpërfshirës synon të zhvlerësojë diskriminimin me të cilin përballen nxënësit në shkolla bazuar në shumë faktorë, përfshirë edhe potencialin intelektual.

Objektivat e këtij plani strategjik zbatohen dhe mbikëqyren nga divizioni i dedikuar për arsim me nevoja të veçanta, i cili funksionon që nga viti 2001. Sidoqoftë, deri në vitin 2019 puna e divizionit ka qenë e përqendruar vetëm te studentët me aftësi të kufizuara në të nxënë.

Pasi ligji i arsimit në 2011 i ka njohur fëmijët me dhunti, talente e inteligjencë të jashtëzakonshme si një kategori e veçantë, ky divizion ka filluar zbatimin e ligjit duke zgjeruar punën e tyre për nxënësit me dhunti.

Divizioni ka botuar një udhëzim administrativ për nxënësit e talentuar i cili synon të rrisë vetëdijen në lidhje me nevojat e tyre, të ndihmojë në mbështetjen e këtyre nxënësve në përparimin e tyre akademik dhe të demonstrojë praktikat e duhura në zhvillimin e tyre.

Objektivat e këtij udhëzimi administrativ përfshijnë hapa të rëndësishëm në zhvillimin e nxënësve, siç janë hartimi dhe zbatimi i planeve të individualizuara, diferencimi brenda klasave, avancimit të klasës etj.

Aktualisht, nevojat e këtyre studentëve plotësohen pjesërisht përmes avancimit të klasës dhe garave të organizuara në nivel shkolle, komunale dhe në nivel shtetëror. Sidoqoftë, pa identifikim të duhur, nxënësit që përfitojnë nga këto avancime nuk janë domosdoshmërisht me dhunti por nxënës me performancë të lartë.

Zbatimi i planeve të individualizuara dhe diferencimi brenda klasës mbeten thelbësore për zhvillimin e duhur të fëmijëve me dhunti. Në praktikë, shumë faktorë si numri i madh i nxënësve brenda një klase (shpesh tejkalimi i 30 nxënësve për klasë) dhe mësuesit e trajnuar në mënyrë joadekuate parandalojnë zhvillimin e këtyre planeve.

Gjatë bisedës me një studente Kosovare, J.R., e cila u identifikua me inteligjencë të jashtëzakonshme në vitin 2012 dhe tani po ndjek studimet e doktoratës në një nga universitetet më prestigjioze të Evropës, ajo e bën të qartë se është metoda e edukimit dhe jo përmbajtja që ka nevojë për adresim.

“Sistemi arsimor nuk më ka mësu asnjë metodë të të mësuarit përveç atij përmendësh,” thotë J.R. “Unë nuk jam shtyer të jem kurioze dhe as të inkurajohem të pyes “pse” për ndonjë temë që tejkalon kurikulat e rregullta, të cilat janë elementë thelbësorë kur ndjek një karrierë shkencore.”

Pamundësia e mësuesve kosovarë për të zbatuar metodat më të avancuara të mësimdhënies kur punojnë me nxënës të talentuar gjatë orëve të tyre është rezultat i mungesës së përgatitjeve në karrierën e tyre akademike.

Në Departamentin e arsimit në Universitetin e Prishtinës, programet bachelor ofrojnë tri lëndë që përgatisin mësuesit e ardhshëm për të identifikuar dhe mbështetur fëmijët të talentuar. Këto tri lëndë janë të përqendruar pjesërisht në rëndësinë e njohjes së llojeve të shumta të inteligjencës dhe krijimin e planeve mësimore të individualizuara bazuar në aftësitë e nxënësve. Klasa e vetme e ofruar në Fakultetin e Edukimit e cila përqendrohet tërësisht në nxënësit me dhunti, Puna me fëmijë të talentuar, është një lëndë zgjedhore.

Të dy përfaqësuesit e MASHT-it dhe Institutit ATOMI deklarojnë se këto kurse nuk janë të mjaftueshme për të përgatitur plotësisht mësuesit e ardhshëm për të punuar me nxënës me dhunti, duke treguar nevojën për trajnime të mëtutjeshme të mësuesve aktualë.

Për të mbushur këto boshllëqe, Instituti ATOMI dhe GIZ kanë organizuar dhe mbajtur trajnime për të certifikuar mësuesit në zbatimin e planeve të individualizuara dhe diferencimin në klasë kur punojnë me fëmijë me dhunti. MASHT në planin e saj të zhvillimit ka paraparë trajnimin e mëtutjeshëm të mësuesve dhe profesionistëve të tjerë brenda shkollave, përfshirë pedagogë dhe psikologë.

Si pjesë e këtij plani zhvillimor, Divizioni i Edukimit për Nevoja të Veçanta ka planifikuar standardizimin e mjeteve për identifikimin dhe vlerësimin e fëmijëve me dhunti, talente dhe inteligjencë të jashtëzakonshme, në bashkëpunim me departamentin e psikologjisë dhe institucione të tjera mbështetëse. Sidoqoftë, deri më tani numri i profesionistëve të trajnuar të shkollave mbetet rreth 100, një numër që është mjaft i vogël në krahasim me numrin e shkollave, mësuesve dhe fëmijëve me dhunti në Kosovë.

Ndihma shtesë e ofruar nga qeveria për këto organe, Divizioni i MASHT-it për Arsim me nevoja të veçanta, organet joqeveritare dhe Fakulteti i Edukimit mbetet thelbësore në përshpejtimin e këtij procesi. Në vend që të punohet në një zgjidhje, ose të përqendrohemi në vetëm një kategori studentësh, ndarja e burimeve dhe mundësive për të gjithë mund të sigurojë që nevojat e të gjithë studentëve të përmbushen në mënyrë paralele.