Kurti viziton stafin e karantinës në Qendrën e Studentëve

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrat në detyrë, atë të Shëndetësisë, Arben Vitia, të Arsimit, Hykmete Bajrami dhe të Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, kanë vizituar sot stafin e karantinës në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.

Zyra e kryeministrit njofton se momentalisht aty janë 500 të karantinuar.

“Të gjithë të karantinuarit vizitohen deri në 5 herë në ditë, ku dy herë në ditë kontrollohen nga profesionistët shëndetësorë dhe 3 herë nga ekipi i logjistikës, ku u bëhet edhe dërgimi i ushqimit nëpër dhomat e tyre”, thuhet në komunikatë.

“Duhet të mbahen shënime për përvojat nëpër të cilat po kalon secili vullnetarë dhe pastaj ato të bëhen përvoja e ide institucionale. Si Qeveri po punojmë që këtë sfidë ta kalojmë sa më lehtë, dhe, mësimet e nxjerra duhet të na shërbejnë për sfidat e ardhshme që lutemi të mos i kemi kurrë”, vijon njoftimi.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim se të gjithë të kthyerit në Kosovë të vendosen në karatinë për 14 ditë.