Kurti takon përfaqësuesit e HANDIKOS-it

I ulur edhe vet në karrocë të personave me aftësi të kufizuara, në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Përdoruesve të Karrocës, kryeministri i vendit Albin Kurti, ka pritur në takim drejtorin e HANDIKOS-it, Afrim Maliqi dhe përfaqësuesit e kësaj organizate.

“Synimi i Qeverisë është të ofrojë mundësi dhe qasje të barabartë për të gjithë, mundësi për pjesëmarrje aktive në shoqëri, lëvizje të lirë dhe jetë të dinjitetshme”, citohet të ketë thënë Kurti në komunikatën për media.

Në këtë takim sipas komunikatës së zyrës së kryeministrit është diskutuar për procesin e Amendamentit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të iniciuar nga Zyra e Kryeministrit, për përfshirjen e Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara në Kushtetutë, konkretisht Neni 22.

“Duke folur për ndryshimet e nevojshme ligjore, u përmend miratimi i Udhëzimit Administrativ për caktimin e Listës, llojeve dhe pajisjeve ndihmesë, që ofrohen falas për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, si dhe procesi i hartimit të Projektligjit për Vlerësimin, Njohjen e Statusit, Përfitimet dhe Shërbimet për Personat me Aftësi të Kufizuar”, thuhet në komunikatë.

Tutje sipas komunikatës në këtë takim u vlerësua zbatimi i Masës 1.6 Mbështetja e punësimit të personave me nevoja të veçanta, nëpërmjet së cilës gjatë vitit 2022 janë punësuar 239 persona, prej tyre 119 burra dhe 120 gra.

“U theksua se me qëllim të gjithëpërfshirjes dhe barazisë në edukim, gjatë vitit 2022  janë punësuar afërsisht 100 asistent në shkolla për fëmije me nevoja të veçanta, ndërsa Qeveria ka ndarë buxhet për 500 asistentë për vitin 2023. Po ashtu, janë ndarë bursa për 13 studente me aftësi të kufizuara”, thuhet në komunikatë.

Tutje në këtë komunikatë është sqaruar se në Ditën Ndërkombëtare të Përdoruesve të Karrocës, Kryeministri Kurti i është përgjigjur thirrjes së HANDIKOS-it, për përdorim të karrocës, në shenjë solidarizimi me personat me aftësi të kufizuara.