Kurti takoi kryetaren e KQZ-së

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti sot priti në takim Kryetaren e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Valdete Daka. Siç thuhet në komunikatën e dërguar në këtë takim u diskutua për funksionimin e këtij institucioni dhe ngritjes së bashkëpunimit në çështjet që ndërlidhen me Qeverinë.

“Ndonëse në kohë pandemie, KQZ është e gatshme të ushtrojë autoritetin e saj publik institucional. Daka e njoftoi Kryeministrin në detyrë, Kurti, që përgatitjet për zgjedhjet për kryetar të komunës së Podujevës edhe pse janë ndërprerë, me vendimin e marr më 14 mars të këtij viti, një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, për mos-mbajtjen e tyre, KQZ është e gatshme që ta mbajë këtë proces zgjedhor”, thuhet tutje në komunikatë.

Në anën tjetër kryeministri në detyrë, Kurti e njoftoi Dakën, për lirimin e masave që po i ndërmerr Qeveria ndaj COVID-19.

“Koordinimi ndërinstitucional dhe respektimi i rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe Ministrisë së Shëndetësisë nga qytetarët, kanë dhënë rezultatin e tyre”.

Kryeministri në detyrë Kurti në këtë takim shprehu gatishmërinë e tij dhe të Qeverisë për forcimin e bashkëpunimit me KQZ-në dhe nevojën që ka vendi ynë për zhvillimin demokratik të institucioneve përmes transparencës dhe pavarësisë së tyre./21Media