Kurti: Përqindja e ulët e grave në tregun e punës është e dëmshme për të ardhmen e vendit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, teksa ka folur për kontributin e grave në shoqëri ka thënë se përfshirja e grave i hapë rrugë edhe progresit e transformimit të shoqërisë kosovare.

Sipas Kurtit, shifra prej 21 përqind të grave të përfshira në tregun e punës është e dëmshme për të ardhmen e vendit.

“Gratë, ndryshe nga burrat pikënisjen e tyre qoftë të punësimit apo angazhimit nuk e kanë të njëjtë. Një grua ka dyfish vështirësi e barrë në angazhimin publik për shoqëri. Vetëm 21 për qind e grave të inkuadruara në tregun e punës në Kosovë është e dëmshme jo vetëm për të ardhmen e tyre, por edhe për të ardhmen e vendit tonë” – tha Kurti.

Kurti këto deklarata i bëri në publikimin e librit në gjuhën shqipe “Ekonomiksi Gjinor” të autores Joyce P. Jacobsen, organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore (ABGJ) në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

Ai tutje ka cekur edhe ndihmën që Qeveria ka bërë përmes ndarjes së mjeteve me pako ekonomike.

“Kemi mbështetur punësimin e grave me masë kjo në të cilën kanë përfituar 3 500 gra dhe vajza. Kemi mbështetur biznese që janë në pronësi të grave në vlerë të subvencionimit afër gjysmë milioni euro. Që nga fillimi i skemës për nënat e reja deri më tani kemi rreth 200 mijë përfitues dhe 23 mijë për shtesat për nënat lehona. Po mbështesim strehimoret” – ka thënë tutje ai.

Ndërsa, prodekania e Fakultetit Ekonomik, Afërdita Berisha, teksa ka folur për librin “Ekonomiksi Gjinor” tha se 66 për qind e stafit akademik në këtë fakultet janë gra, teksa shtoi se edhe numri i studenteve vajza është më i madh.

“Në literaturën e hershme për ofertën e punës as që bëhej fjalë për konceptin e përfshirjes së gjinisë në teori sepse ishin të padukshme para viteve 1960. Sot me të drejtë mendohet se shtypja e grave është paragjykim irracional në shoqëri, burrat dhe gratë kanë role të ndryshme që kanë dallime biologjike, kulturore e shoqërore” -tha Berisha.