Kurti: Kulmi i rezistencës ishte UÇK-ja

Kryeministri në detyrë,  Albin Kurti, ka bërë homazhe pranë varrezave të heronjve Ilir Konushevcit e Hazir Malajt.

Ai ka thënë se i gjithë shekulli i 20-të ishte shekull i rezistencës shqiptare dhe kulmi i rezistencës, sipas tij ishte UÇK-ja.

“I gjithë shekulli XX-të ishte shekull i rezistencës shqiptare. Ndonjëherë ishte legale, e shpesh ilegale. Kulmi i rezistencës ishte UÇK-ja. Formacioni me të cilin nuk u evitua përballja me armikun. Me UÇK-në, e drejta jonë politike u pajis edhe me forcë për zbatimin e kësaj të drejtë”, ka thënë Kurti.

Sipas Kurtit,  Ilir Konushevci dhe Hazir Malaj ishin ndër të parët që i’u rrekën pa pushim maleve.

“Kushdo që vinte pas tyre e kishte më kollaj. Ata iu rrekën pa pushim maleve që ndajnë fizikisht Kosovën prej Shqipërisë. Ata ishin vetë shpirti i kombit, që lufton gjeografinë e kombit. Ilir Konushevci dhe Dr. Hazir Malaj ishin shumë të vetëdijshëm që epërsia morale dhe njerëzore ishin në anën e shqiptarëve. Atyre iu mungonte armatimi”, tha Kurti.

“Prandaj, ata dy jo vetëm që luftuan por edhe punuan për luftën. Ilir Konushevci dhe Dr. Hazir Malaj po bënin më shumë se luftë çlirimtare; po e mundësonin luftën çlirimtare”, ka shtuar më tej Kurti.

Bashkë me Kurtin ishin edhe ministrja në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe këshilltari i  kryeministrit dhe në të njejtën kohë drejtorin e zyrës për çështje të kategorive të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Aziz Bici.