Kryeministri Albin Kurti, 14 janar 2022, Foto: KALLXO.com

Kurti fton qytetarët dhe diasporën që të kontribuojnë në Fondin e Sigurisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ftuar qytetarët e vendit dhe bashkatdhetarët në diasporë që të kontribuojnë në ngritjen e sigurisë shtetërore.

Kurti ka thënë se buxheti për Ministrinë e Mbrojtjes, sipas tij, si asnjëherë më parë duhet të jetë më i madh.

“Buxheti prej 100 milionë euro që kemi ndarë për Ministrinë tonë të Mbrojtjes është më i madhi ndonjëherë. Por tani si asnjëherë më parë duhet të jetë edhe më i madh, sepse investimi në siguri është investimi më i sigurt”, është shprehur i pari i Qeverisë së Kosovës.

Tutje Kurti është  shprehur se “Fondi i Sigurisë synon një nga përbërësit më të fuqishëm të themeleve të së ardhmes. Kontributi dhe sakrifica kryhet në tashmen për të vendosur sigurinë në të ardhmen”.

Gjatë ditës së djeshme Kurti kishte njoftuar se është marrë vendim për themelimin e këtij Fondi.

Kryeministri kishte thënë se mjetet e mbledhura financiare synohet të përdoren në përputhje me strategjinë e sigurisë shtetërore të Republikës së Kosovës që pritet të miratohet nga Qeveria.

“Në përputhje me nevojat e Forcave të Sigurisë së Kosovës, situatës aktuale dhe pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë, kam autorizuar sot Ministrinë e Financave për themelimin e “Fondit të Sigurisë”, ishte shprehur ai.