Enver Peci. Foto: Kallxo.com

Kryetari i Gjykatës Supreme me mbi 35 mijë euro para të gatshme

Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci,  në mars të 2020 në Agjencinë kundër Korrupsionit ka deklaruar se në emër të tij ka një shtëpi të fituar me trashëgimi në vitin 1997 në vlerë prej 20 mijë euro si dhe një banesë në vlerë prej 45 mijë euro.

Peci, ka deklaruar se ka edhe një veturë të tipit “Pasat” të blerë me kursimet familjare  në vitin 2016 në shumë prej 6 mijë e 500 eurove.

Kryetari i Gjykatës Supreme në emër të tij  ka deklaruar para të kursyera në shumë prej 35 mijë e 574 euro, ndërsa në emër të kursimeve të fëmijëve ka deklaruar shumën 1 mijë e 375 euro.

Ndërsa kredinë bankare në shumë prej 45 mijë euro kryetari i Supremes e ka paguar në janar të vitit 2019.

Peci, të hyra vjetore nga paga realizon shumën prej 35 mijë e 585 euro e 87 cent, nga shërbimet dhe trajnimet e arsimit realizon të hyra 1 mijë e 537 euro e 20 cent ndërsa nga mëditjet e udhëtimeve 1mijë e 490 euro e 46 cent.

Kryetari i Supremes duke qenë anëtari i Komisionit të Provimit të Jurisprudencës ka deklaruar se është paguar 3 mijë 83 euro e 4 cent, ndërsa nga vizitat studimore ka realizuar të hyra në shumë prej 835 euro e 35 cent.

Ndërsa në emër të  djalit i cili është prokuror në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës, kryetari i Supremes ka deklaruar të hyra nga paga vjetore  20 mijë e 369 euro e 76 cent, të hyra nga mëditjet e udhëtimeve zyrtare 111 euro e 15 cent, ndërsa nga kujdestaria në Prokurori 100 euro.

Në emër të bashkëshortes e cila është zyrtare ligjore në Gjykatën Themelore të Mitrovicës kryetari Peci ka deklaruar të hyra nga paga vjetore 5 mijë e 710 euro e 55 cent.