Kryeministri Kurti priti në takim nobelistin, Dan Shechtman

Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot në takim fituesin e çmimit nobel për Kimi, Dan Shechtman, i shoqëruar edhe nga Konsulli i Nderit i Kosovës në Austri, David Ungar-Klein.

Në këtë takim iu kushtua vëmendje rëndësisë së edukimit, veçanërisht shkencës në edukim të hershëm, teknologjisë dhe ndërmarrësisë në këto fusha.

Kurti njoftoi Shechtman për progresin demokratik, për pilot programet në kuadër të sistemit dual të edukimit që kanë filluar të zbatohen në këtë vit akademik, për investimin në fushat STEM dhe mbështetjen e vajzave dhe grave në këtë fushë përmes bursave të studimit.

“Z. Schectman ndau me Kryeministrin Kurti nga përvoja e tij profesionale dhe akademike si dhe nga modelet e aplikuara në Izrael për mbështetje institucionale për ndërmarrës në fushën e teknologjisë dhe start-ups”- thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Dan Schechtman i cili ka fituar çmimin Nobel për kimi dhe për zbulimin e kuazikristaleve në vitin 2011 aktualisht po viziton Kosovën.

Ai gjatë vizitës mbajti ligjeratë edhe në Bibliotekën Kombëtare me titull “Pse në universitetet kosovare studentët duhet të mësojnë për teknologjinë, dhe pse fëmijët në kopsht duhet të mësojnë për shkencën”.