Kryeministri Kurti pretendon që laboratorët e drogës në veri kishin vlerë më shumë se 100 milionë euro

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një postim të tij në rrjetin social “Facebook” ka shkruar për punën e qeverisë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit gjatë vitit 2022.

Ai ka pretenduar se 5 laboratorët e drogës që janë shkatërruar në veri kanë pasur vlerë qindra milionëshe.

“Shkatërruam 5 laboratorë të drogës në veri të Kosovës, me vlerë qindra milionëshe në substanca dhe në pajisje si dhe 3 laboratorë për prodhimin e kriptovalutave, po ashtu në veri” – ka thënë Kurti.

Përveç kësaj, si suksese të qeverisë ai ka renditur edhe arrestimin e 3202 personave, prej tyre 301 zyrtarë publikë, 854 operacione policore kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës e mbylljen e 16 rrugëve ilegale në veri.

Tutje i pari i ekzekutivit, ka thënë se janë shkatërruar 69 grupe kriminale, janë konfiskuar mbi 1.8 ton substanca narkotike, janë ngrirë mbi 14 milionë euro nën dyshimin e keqpërdorimeve dhe shpëlarjes së parave dhe janë sekuestruar mbi 300 mijë litra karburante që siç thotë ai nuk ishin konform me aktet nënligjore.

“Ndërtuam 4 objekte dhe stacione policore në veri të Kosovës si dhe bëmë shtrirjen e rrjetit optik në atë pjesë të vendit tonë, duke mundësuar shtrirjen e valëve telefonike, rrjetit të internetit dhe komunikimit me radiolidhje” – ka vazhduar Kurti.

Në fund, kryeministri ka cekur edhe krijimin e Njësitit të Ndërhyrjes së Shpejtë të Kufirit, në kuadër të Policisë së Kosovës, i cili angazhohet në luftimin e kontrabandës, trafikimit me qenie njerëzore dhe keqpërdorimeve të tjera përgjatë vijës kufitare.