Këshilli Gjyqësor anuloi tenderin për pije pas opinionit të Agjencisë Kundër Korrupsion

Agjencia Kundër Korrupsion kishte dërguar një opinion lidhur me një tender të shpaluar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës për pije.

Në këtë opinion AKK ka konstatuar se janë bërë shkelje ligjore.

Më 2 korrik 2020, Këshilli Gjyqësor i Kosovës kishte shpallur tender  për dhënien në shfrytëzim të hapësirave brenda objektit te KGjK-së për shërbim me pije.

Vlera e parashikuar e kësaj kontrate ishte 16 mijë euro.

Pas publikimit të këtij tenderi, me datë 16 korrik 2020, Agjencia Kundër Korrupsion i kishte dërguar Këshillit Gjyqësor të Kosovës një opinion për shkeljet ligjore në shpalljen e këtij tenderi.

Në opinionin e AKK-së thuhet se në shpalljen e këtij tenderi, KGjK ka emëruar artikujt përkatësisht firma të caktuar për të cilët kishte shpallur tender, gjë e cila është e ndaluar në bazë të Ligjit për Prokurim Publik.

“Agjencia pasi ka analizuar me kujdes njoftimin për kontratë, dosjen e tenderit dhe specifikimet teknike, vëren se tek Aneksi 1, autoriteti kontraktues ka emëruar artikuj si në vijim: tek pozicioni 4 është kërkuar pije (lemenka coca-cola, ice tea, sprite, schëepps etj), si dhe tek tabela 2, artikulli nr.2 nes kafe (klasike, vanile), artikuj të cilat janë specifikuar nga njësia kërkuese në atë mënyrë që i përshtaten prodhuesve të caktuar dhe eliminojnë prodhuesit e tjerë”, thuhet në opinionin e AKK-së.

Sipas Agjencisë Kundër Korrupsion, secili autoritet kontraktues duhet t’i përpilojë specifikimet teknike në mënyrë që të jenë të hapura për të gjithë operatorët ekonomik, të cilët mund të bëjnë furnizime të tilla.

“Autoriteti kontraktues është veçanërisht i ndaluar që të hartojë specifikime teknike që favorizojnë ose diskriminojnë një ose më shumë operator ekonomik, apo prodhues të caktuar në treg”, thuhet në opinion.

Në opinionin e Agjencisë Kundër Korrupsion thuhet se shkelje të tilla nuk duhet lejuar në aktivitete të prokurorit, prandaj ka rekomanduar Këshillin Gjyqësor të Kosovës, që të evitoj këto shkelje përmes njoftimit standard, për informata shtesë dhe për përmirësimin e gabimeve, duke i njoftuar operatorët të cilët e kanë tërhequr dosjen e këtij tenderi.

“Ju njoftojmë se në lidhje me këtë të gjeturat do të njoftohet Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik”, thuhet në opinionin e AKK-së.

Pas këtij opinioni nga AKK, me 26 korrik, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka anuluar tenderin e shpallur, me arsyetimin se “një dispozitë në Ligjin e Prokurimit Publik kërkon anulimin e aktivitetit të prokurimit”.

Në arsyetimin e Këshillit Gjyqësor për anulimin e këtij tenderi thuhet se pas kjo ka ndodhur pas pranimit të opinionit nga AKK.

“Me datë 20 korrik, Autoriteti Kontraktues, Sekretariati i Këshillit Gjyqësor Kosovës, ka arsyetuar Dosjen e Tenderit, ku Agjencia Kundër Korrupsion ka shprehur  vërejtjet për   Tabela 1 në pozicionin 4 është kërkuar  ( Pije (lemenka  coca-cola , ice tea, sprite, schëepps etj ) 0.33 ml. Dhe në tabelën 2 pozicioni 2 është kërkuar ( Nes kafe (klasike, vanile), se nuk ka shkelje te LPP, dhe RUOPP. Por  edhe pas kërkesës, nga  Autoriteti Kontraktues   Sekretariati i Këshillit Gjyqësor Kosovës, të datës  20 korrik, Agjencia Kundër Korrupsionit me 22 korrik ka kthyer përgjigjen AK, me njoftim  se  nuk ka lëvizur nga opinioni i dhëne ku ka konstatua se jen favorizuar kompanitë e caktuara”, thuhet në arsyetimin e KGjK-së.

Në arsyetim tutje thuhet se komisioni vlerësues për vlerësimin e ofertave në përbërje të plotë prej tre anëtarëve të emëruar me vendim të ZKA-së, për aktivitetin e prokurimit me titull   “Dhënia në shfrytëzim të hapësirave brenda objektit te KGjK-së për shërbim me pije, janë referuar në opinion nga Agjencia Kundër Korrupsion dhe kanë vlerësuar se ky aktivitet i prokurimit duhet të anulohet dhe të përsërite nga fillimit.

KALLXO.com ka kërkuar edhe detaje shtesë rreth këtij tenderi nga zyra e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Besar Maqedonci, shef i zyrës së prokurorit në KGjK ka thënë për KALLXO.com se kanë vepruar sipas rekomandimeve të AKK-së.

“Duaj t’ju informoj se Autoriteti Kontaktues, Sekretariati i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ka respektuar në tersi  opinioni e dhënë  nga Agjencia Kundër Korrupsion, për aktivitetin e prokurimit me titull “Dhënia në shfrytëzim të hapësirave brenda objektit te KGjK-së për shërbim me pije”, ka thënë Maqedonci.