Kapen një algjerian e një libian duke u futur ilegalisht në Kosovë

Policia Kufitare në Han të Elezit ka kapur dy emigrantë nga Algjeria dhe Libia, të cilët kishin hyrë ilegalisht në Kosovë.

Sipas Policisë, emigrantët janë zbuluar gjatë tentimit të hynin ilegalisht në vend përmes një kamioni nga Turqia.

Ky kontoll është kryer me një pajisje të veçantë – zbulues të pranisë së njerëzve në automjete.

Ata ishin në një kamion me targa të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i cili vinte i ngarkuar nga Turqia.

Në njoftimin e Policisë thuhet se dy emigrantët: A. Z. nga Algjeria, i cili nuk posedonte dokumente identifikimi dhe T. A. nga Libia me një pasaportë të Libisë kanë qenë në rimorkion e kamionit.

Gjatë intervistimit të tyre, ata deklarojnë se kanë ardhur nga Greqia në Maqedoni të Veriut para dy ditëve dhe me pas kanë tentuar të futen në Kosovë. Rasti është duke u trajtuar në koordinim me prokurorin kujdestar.