Jusuf Azemi komenton rritjen e pagës minimale, nën 400 euro mos të ketë pagë minimale

Jusuf Azemi kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, ka komentuar lidhur me rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto ose 250 euro neto si dhe heqjen e shkallës së parë tatimore në të ardhurat personale për 250 euro pagë.

Azemi tha për KALLXO.com se për sindikatën, me rëndësi është që paga minimale të jetë mbi 400 euro.

“Mendojmë që këtë lëvizje që prej 170 euro në 250 euro neto ndoshta më mirë kishte me qenë mos me lëviz fare le të mbetet ashtu dhe le të dihet që nuk po funksionon”, tha Azemi.

Megjithatë, Azemi tha se nuk i befason çfarë do page që të vjen nën pagën 400 euro pasi sipas tij punëtorët e sektorit privat tashmë i kanë kushtet e tyre.

“Shërbimet tona i kërkon pronari i kompanisë dhe ne e caktojmë shumën. Nuk na obligon asnjë vendim i qeverisë lidhur me pagën minimale”, tha ai.

Azemi ka përmendur se që nga shtatori i vitit të kaluar kanë bërë apel te punëtorët që mos të nënshkruajnë pagë nën 350 euro gjë të cilin thotë se e kanë arritur.

“Është vendim i sindikatës dhe premtim i punëtorëve që nuk e kanë llogarit që të punojnë nën pagë 400 euro. Kosto e jetës është ngrit tepër lartë”, shtoi ai duke thënë se ikje nga Kosova kaq të madh nuk ka pasur kurrë.

Sa i përket heqjes së shkallës së parë tatimore në të ardhurat personale për 250 euro pagë, Azemi shtoi se Qeveria e Kosovës edhe 10 cent nëse ndihmon në pagën ose në përmirësimin e kushteve të punëtorëve të sektorit privat të Kosovës i thonë faleminderit.

“A është e mjaftueshme a nuk është, është çështje tjetër. Çdo lëvizje që bëhet e respektojmë dhe nuk duam të flasim nën pagën 400 euro”, përfundoi ai.

Gjatë ditës së sotme, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka njoftuar se kanë punuar në rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto apo 250 euro neto, dhe për heqjen e tatimit për 250 euro pagë.

Sipas Kurtit, rreth 100 mijë punëtorë, do të përfitojnë nga rritja e pagës minimale, kurse prej heqjes së shkallës së parë tatimore do të përfitojnë të gjithë punëtorët.