I dërguari i Britanisë: Veprimi i qeverisë së Kosovës për vendosjen e kryetarëve me forcë nuk ishte i mençur

Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë, ka publikuar deklaratën e Lord Peach, i dërguari special i kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor.

Peach ka folur për situatën në veri të Kosovës.

“Në takimet e mia me qeverinë kam dhënë një mesazh shumë të qartë: veprimi i qeverisë së Kosovës për të imponuar kryetarët e komunave në ndërtesat komunale me forcë nuk ishte i mençur dhe ka e pasoja të dëmshme. Është e nevojshme që të gjitha palët të shtensionohen tani”- ka thënë Peach.

Tutje, ai ka thënë se ka biseduar me homologët e tij në Uashington, Bruksel dhe më gjerë.

“Ato bisedat më kanë bërë të qartë se ngjarjet e fundit kanë shkaktuar dëme në imazhin ndërkombëtar të Kosovës dhe të saj reputacionin me aleatët e saj”- ka thënë Peach.

Që nga 26 maji në komunat me shumicë serbe të Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit janë shkaktuar tensione pasi Policia e Kosovës u ndihmoi kryetarëve shqiptarë të këtyre  komunave që të futen në zyrat e tyre komunale, më 26 maj.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier dje e ka konfirmuar zyrtarisht se Kosova është përjashtuar nga ushtrimi “Defender Europe ’23” si masë sanksionuese pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit.

Hovenier ka mbajtur konferencë për shtyp sot me disa media në Kosovë duke deklaruar që ka kërkuar urgjentisht nga kryeministri Albin Kurtit që të tërheq Policinë e Kosovës komplet prej tri ndërtesave të komunale në veri të vendit, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Ambasadori Hovenier theksoi që në mungesë të reagimit nga Qeveria e Kosovës në këtë kërkesë të SHBA-së dhe në mungesë të çfarëdo shenje se qeveria po punon në shtendosjen e situatës në veri, SHBA ka vendosur ta përjashtojë Kosovën nga ushtrimi i NATO-së “Defender Europe ’23”.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier e ka konfirmuar zyrtarisht se Kosova është përjashtuar nga ushtrimi “Defender Europe ’23” si masë sanksionuese pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit.

Sanksionet e ShBA-së: Mesazhi i plotë i ambasadorit amerikan

Po ashtu, “do të ndalim gjitha përpjekjet për të ndihmuar Kosovën në njohje me shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën dhe në procesin e integrimit në organizata ndërkombëtare”.

Ndërkaq Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i tërheqë forcat policore nga veriu.

“Kryeministri [i Kosovës, Albin] Kurti dhe Qeveria e tij duhet të sigurojnë që kryetarët e zgjedhur t’i kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga lokacione alternative, jashtë ndërtesave komunale, dhe t’i tërheqin forcat policore prej atje. Presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq dhe Qeveria e Serbisë duhet ta ulin statusin e sigurisë së Forcave të Armatosura Serbe dhe t’u bëjnë thirrje serbëve të Kosovës që të ndalojnë sfidimin e KFOR-it dhe të përmbahen nga dhuna e mëtejshme”, tha Blinken në një deklaratë të publikuar në ueb-faqen e Departamentit amerikan të Shtetit.

Ai gjithashtu ka kërkuar edhe nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq që të ulë statusin e sigurisë të forcave të armatosura të Serbisë dhe t’u bëjë thirrje serbëve të Kosovës që të ndalojnë sfidat ndaj KFOR-it dhe të përmbahen nga dhuna e mëtejshme.

Paraprakisht, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Policia nuk do të tërhiqet nga veriu për aq kohë sa ka grupe të dhunshme në rrugë.

Në një intervistë për CNN, Kurti ka deklaruar se Qeveria e Kosovës është duke punuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë në lidhje me situatën e krijuar në veri.

Por, ai ka theksuar se nuk “nuk do ta dorëzojë Republikën demokratike te milicia fashite”.

“Të gjithë faktorët ndërkombëtarë i kanë njohur zgjedhjet që janë mbajtur më 23 prill. Kur e njeh procesin dhe rezultatet, atëherë kryetarët duhet të shkojnë në komuna. Kush tjetër duhet të jetë aty, nëse jo kryetarët. Po punojmë ngushtë me faktorët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-në e BE-në, që i konsiderojmë aleatë shumë të vlefshëm e partnerë. Do të bëjmë më të mirën. Por, nuk do ta dorëzojë Republikën demokratike te milicia fashiste”, tha Kurti.

Gjatë përleshjeve midis protestuesve serbë dhe trupave të KFOR-it, janë plagosur 30 ushtarë ndërkombëtarë të misionit të KFRO-it, tre prej të cilëve kanë marrë plagë nga armët e zjarrit, konfirmoi misioni i KFOR-it të martën.

Katër komunat e veriut të Kosovës që nga e premtja e javës së kaluar janë në një gjendje të tensionuar të sigurisë.

Serbë lokalë po kundërshtojnë vendosjen e kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale, nga komuniteti shqiptarë.

Gjatë së hënës, protestuesit serbë u përplasën me ushtarë të KFOR-it. Policia e Kosovës njoftoi se ka arrstuar pesë persona të dyshuar për këto sulme.