Ambasadori amerikan në Kosovë Jeff Hovenier duke mbajtur fjalim në organizimin e Defender 2023 Foto: Ambasada Amerikane në Kosovë/ 21 maj 2023

Sanksionet e ShBA-së: Mesazhi i plotë i ambasadorit amerikan

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier e ka konfirmuar zyrtarisht se Kosova është përjashtuar nga ushtrimi “Defender Europe ’23” si masë sanksionuese pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit.

KALLXO.com sjell bisedën e plotë të ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier me disa gazetarë kosovarë, të cilën me autorizim të ambasadës amerikane jemi duke e publikuar.

Jeff Hovenier: Jemi shumë të brengosur për situatën në veri. Mendojmë që kjo ishte një krizë, nga perspektiva jonë, e panevojshme. Operacioni që ka ndodhë të premten për të siguruar qasje me dhunë në ndërtesat komunale ishte i pakoordinuar me SHBA-të. Kur e kuptuam që kjo po ndodhë, këshilluam që kjo të ndalet sepse i parashikuam pasojat të cilat po i shohim tash. Besojmë që (ky aksion) ka pasur pasoja negative për reputacionin e Kosovës, e ka kthyer prapa procesin e avancimit, normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ashtu siç ka thënë sekretari Blinken në deklaratën e tij, dhe si kemi thënë ne, kjo do t’i afektojë marrëdhëniet tona biletarele. Indikacioni i parë i kësaj është vendimi i Gjeneral Komolit, udhëheqësit të Komandës së Ushtrisë Amerikane për Evropë për të përjashtuar pjesëmarrjen e Kosovës në Europe Defender 23 që ndodhi gjatë natës dhe, siç e keni parë, sot nuk pati aktivitete të Defender 23 dhe as nuk do të ketë. Për Kosovën ky ushtrim ka marrë fund. Jemi duke mendu për implikime tjera. Më duhet të them që në këtë moment i kemi kërku kryeministrit Kurti të marrë hapa urgjent që të arrijë de-eskalim në veri. Nuk ka reagu ndaj këtyre kërkesave tona. Kështu që jemi duke mendu se cilat do të jenë veprimet tona të mëtejshme. Mirëpo në këtë moment nuk do të gjeni shumë entuziazëm prej anës së SHBA-së të reagojë ndaj interesave tjera të Kosovës, si për shmebull të angazhohemi me shtetet që s’e kanë njohur Kosovën ose që të punojmë aktivisht në trajektoren e integrimit evropian e ndërkombëtar të Kosovës. Na vie shumë keq që situata ka ardhë deri këtu por më duhet të jem i sinqertë duke ju tregu se kemi arritë deri në këtë pikë. Shpresa jonë është që kryeministri Kurti e dëgjon këshillën tonë dhe do të ndërmerrë menjëherë masa që ta shtendosë situatën në veri dhe të na mundësojë që t’i kthehemi prioriteteve të zbatimit të plotë të marrëveshjes që na qon deri te normalizimi, në vend se të heqim vëmendjen nga kjo për shkak të konflikit të panevojshëm në veri. Tash, mund të pranoj pyetje:

Adriatik Kelmendi: Faleminderit zotëri ambasador, e përmendët që efekti negativ i kësaj situate është anulimi i aksionit Defender 23. Sa kohë keni me pritë kryeministrin Kurti që të reagojë ndaj kërkesës suaj?

Jeff Hovenier: Ne mendojmë që kjo situatë është urgjente. Kjo është një situatë e tillë, ta krahasoj, sikur ta keshë shtëpinë në flakë. Së pari duhesh ta ndalësh zjarrin. Pra SHBA nuk ka me pasë shumë durim për të pritur që të ndërrmirren veprime për te de-eskaluar situatën në veri. Të jem i qartë çka është ky de-eskalim, janë dy gjëra që po e lusim qeverinë e Kosovës t’i bëjë, do të jem specifik: Ne besojmë që qeveria s’duhet të insistojë që kryetarët e komunave të punojnë prej ndërtesave të komunave. Qeveria ishte e aftë të gjejë ndërtesa tjera administrative ku këta kryetarë e dhanë betimin e tyre. Ne nuk mund të kuptojmë pse qeveria nuk po mund t’i përdorë mu këto lokacione tjera alternative, pra ndërtesat tjera publike, që ata të vazhdojnë funksionet e tyre administrative. Ne po e kuptojmë që këta kryetarë kanë rol të rëndësishëm për të luajtur në administrimin e çështjeve por ky nuk është një aranzhman normal, ata nuk kanë mandat të fortë prej elektoratit të tyre që të ndërmarrin iniciativa të mëdha. Andaj nuk mund të kuptojmë pse po insistohet që ata të punojnë prej ndërtesave komunale. Besojmë që prezenca e Policisë së Kosovës, që ka ardhë aty me forcë, ishte jashtëzakonisht sfiduese, kështu që e kemi lutë qeverinë e Kosovës që ta tërheqë Policinë prej 3 ndërtesave komunale. Ne mendojmë që kjo do ta de-eskalojë situatën.

Leart Hoxha: Nëse KFOR-i e merr përsipër situatën, nëse trupat e KFOR-it vendosen, a është ky skenar i ligjit marshal të skenarit para 2008 për të marrë kontrollin në teren?

Jeff Hovenier: S’kam më pëlqen të përgjigjem në pyetje hipotetike, pra kjo që po e përkshkruani ju nuk është duke ndodhur momentalisht. KFOR-i luan rol të rëndësishëm. Misioni i KFOR-it është të sigurojë liri të lëvizjes dhe ambient të sigurtë dhe në këtë janë fokusuar. Restuccia (Komandanti i KFOR-it) dhe ekipi i tij, dhe më lejoni t’ju them juve atë që kam thënë në Twitter dje- që na vjen keq shumë për plagosjen e personelit të KFOR-it dhe të frustrimit tonë të thellë lidhur me atë që ka ndodhur atje dje me atë sulm ndaj paqeruajtësve që janë aty të mbajnë paqe

Prandaj, ne po presim që KFORi të përmbushë misionin e vetë për të siguruar një ambient të sigurtë dhe për të lehtësuar lirinë e lëvizjes, pra po presim që ata të bëjnë këtë. Në anën tjetër, po presim që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të shtendosur situatën në veri.

Amra Zejneli: A paraqet vendimi i sigurisë për të vendosur trupat e veta ushtarake të gatshme për luftë një kërcënim për Kosovën?

Hovenier: Nuk është asnjëherë shenjë e mirë kur një vend fqinj me të cilin ka raporte të tensoniuara i mobilizon forcat e veta. Mirëpo, do të thoja që në këtë moment në kohë, ajo që po na shqetëson neve janë veprimet e Qeverisë së Kosovës e të cilat e kanë krijuar këtë atmosferë të krizës në veri, dhe ne po kërkojmë që kjo të adresohet.

Berat Buzhala: Kryeministri Kurti ka thënë dje, pra vetëm dje, dhe po e citoj që ka thënë se ai “ka bashkëpunim të mirë me ju rreth veriut”. A është kjo një deklaratë e vërtetë nga ana e tij?

Jeff Hovenier: Do të lë deklaratën time në fillim të këtij takimi që të flasë vetë, sepse po mendoj që me atë që thashë në fillim e adresova qartazi këtë çështje.

Berat Buzhala: Vetëm edhe një gjë shkurtimisht, ju e keni takuar Presidenten Osmani po ashtu, a është ajo pjesë e këtyre politikave të Qeverisë, a po funksionojnë ata si një ekip, meqenëse e keni takuar?

Jeff Hovenier: Mendoj që nuk është në rregull që unë të flasë për dinamikën që ekziston në mes të institucioneve të Kosovës, por ajo që dua të theksoj është që Presidentja Osmani në mënyrë konsistente e ka theksuar rëndësinë që ajo i vë mbajtjes së koordinimit dhe bashkëpunimit të plotë dhe të ngushtë me komunitetin ndërkombëtar, me fokus të veçantë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Unë besoj që kjo është diçka që ajo e merrë shumë seriozisht.

Isak Vorguçiq: Zotëri, ju thatë që i keni kërkuar qeverisë që të tërheq Forcat Speciale të Policisë nga komunat…

Jeff Hovenier: … dua të përmirësoj këtë sepse unë nuk kam thënë ashtu, kam thënë që të tërheqin forcat e Policisë nga të tri ndërtesat e komunave, pra këtë e kam thënë.

Isak Vorguçiq: … në rregull, më vjen keq. Meqenëse ka edhe KFOR të ShBA-ve që po negocion me Policinë në këto komuna, a ka ndonjë shenjë apo indikacion që Policia mund të tërhiqet?

Jeff Hovenier: Nuk kam ndonjë informacion për ndonjë vendim që është marrë në nivelin politik për të tërhequr Policinë nga ndërtesat  e komunave.

 

Jeta Xharra: 25 ushtarë janë lënduar dje, kemi pasur edhe në të kaluarën ushtarë të KFOR-it që kanë vdekur, asnjë nga këto vdekje apo lëndime në të kaluarën nuk janë zbuluar, nuk janë gjetur kryerësit, askush nuk është burgosur. A do të lejoni që plagosjet e ushtarëve dje, duke përfshirë ushtarët amerikanë që të kalojë pa kërkuar llogari, a jeni duke hetuar plagosjen e ushtarëve amerikanë?

Jeff Hovenier: A jeni duke parashtruar pyetje apo deklaratë?

Jeta Xharra: A do të hetoni plagosjen e ushtarëve amerikanë dje? Ishte pyetje..

Jeff Hovenier: Së pari, faktet tuaja nuk janë të sakta, nuk është plagosur asnjë ushtar amerikan dje, sipas informacioneve që kam unë.

Jeta Xharra: Në rregull.

Jeff Hovenier: Ne i marrim seriozisht rastet kur paqeruajtësit, dhe nuk duhet të ketë ndonjë dallim në mes të ushtarëve amerikanë apo ata të tjerë, sepse ushtarët  e NATO-s janë ushtarë të NATO-s dhe si Aleancë, ne i çmojmë të gjithë ushtarët tanë, pa marrë parasysh kombësinë e tyre. Ne jemi thellësisht të shqetësuar me veprimet që kanë çuar në plagosje, e në disa raste edhe plagosje shumë serioze të këtyre ushtarëve. Unë e kam dënuar këtë dje, siç kanë bërë edhe të gjithë kolegët e mi. Por, kjo nuk e mohon faktin që arsyeja pse ishin këta ushtarë aty, pse është dashtë të mbrojnë paqen në këtë skenar, ishte për shkak të vendimit të marrë nga Kryeministri Kurti për të marrë qasje në këto tri ndërtesa të komunave me metodën e forcës dhe kjo duhet të adresohet në aspekt të shtendosjes që ne jemi duke kërkuar që të ndodhë.

Adriatiku Kelmendi: Ambasador, a kemi një udhërrëfyes të qartë se si të normalizohet situata në veri, duke pasë parasysh jo vetëm këto ngjarjet e fundit por edhe atë që njerëzit dhanë dorëheqje nga punët e tyre në vjeshtën e kaluar, si policia, gjyqësori dhe pse po shohim që faji po i vihet vetëm palës kosovare?

Jeff Hovenier: Përsëri, siç e përdora këtë analogji edhe më herët, nëse shtëpia po digjet, së pari duhet të shuhet zjarri para se të vazhdohet me renovimin e kuzhinës apo çfarëdo pune tjetër që mund të kërkohet të bëhet. Prandaj, për momentin ajo që është pika më urgjente është që të shtendoset situata në veri. Në aspektin më afatgjatë, ne e kemi një udhërrëfyes e që quhet Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe qeveria e SHBA-ve ka qenë shumë eksplicite në pritjet tona që të dy palët duhet t’i plotësojnë në plotni të gjitha zotimet e bëra në këtë marrëveshje. Kjo do të zgjidhte edhe situatën në veri po ashtu, dhe kjo është një nga arsyet pse ne i kemi kërkuar qeverisë së Kosovës që urgjentisht të ecë përpara me procesin e negociimit të Asociacionit e që do të ishte mjeti për të adresuar shumë nga çështjet që kanë ndodhë në veri.

Leart Hoxha: Ju e përmendët tashmë Defender Europe dhe mungesën e entuziazmit tuaj për të punuar me vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, por do të doja të ju pyesja nëse mund të jeni më specifik në disa aspekte të tjera rreth asaj që janë quajtur pasoja potenciale për marrëdhëniet bilaterale në mes të Kosovës dhe ShBA-ve. A mund të na tregoni çfarë pasoja të tjera mund të ketë në afatin e shkurtët nëse gjendja nuk ndryshon?

Jeff Hovenier: Nuk e di nëse ka shumë kuptim që të jem edhe më specifik në këtë pikë sepse ne jemi ende duke reflektuar dhe shpresojmë që qeveria e Kosovës do tu përgjigjet kërkesave tona dhe do të ndërmarrë hapa për të shtendosur gjendjen. Ajo që ka ndodhë deri më tani është e jashtëzakonshme. Ju e keni Tweet-in e Sekretarit Blinken, e kjo ndodh shumë rrallë që të përdoret ai nivel i gjuhës. Gjenerali Cavoli, komandanti i të gjitha forcave amerikane në Evropë në emër të Shteteve të Bashkuara ka marrë vendimin që të anulojë pjesëmarrjen e Kosovës në Defender Europe 23 dhe ky është një veprim shumë i rëndësishëm, tashmë. Kjo tregon se sa seriozisht po e marrim këtë dhe shpresa jonë është që qeveria e Kosovës do t’i marrë seriozisht, gjithashtu.

Jeff Hovenier: A po e kuptojnë me të vërtetë se sa serioze është situata pas Tweet-it të Sekretarit Blinken, pas thirrjeve të vendeve të Quintit e megjithatë edhe dje e pamë që situata në terren nuk po ndryshon?

Jeff Hovenier: Kjo është një pyetje e shkëlqyeshme por unë nuk mund të përgjigjem por ju inkurajoj që të bëni këtë pyetje te zyrtarët e qeverisë së Kosovës, a po e kuptojnë ata se sa serioze është situata. Ne po flasim këtu tani…

Amra Zejneli: … a i keni treguar kryeministrit?

Jeff Hovenier: Ne jemi ulë këtu tani në mënyrë që unë të ju tregoj se sa serioze është kjo dhe unë sigurisht që i kam treguar se sa serioze është gjendja.

Berat Buzhala: Gjatë vjeshtës më kujtohet që Ambasada Amerikane kishte njoftuar disa ministra të Kosovës që të mos i vizitonin Shtetet e Bashkuara për shkak të barrikadave. A u lejohet aktualisht që të shkojnë, që zyrtarët e Kosovës të bashkëpunojnë me Qeverinë e ShBA-ve nëse gjendja vazhdon kështu?

Jeff Hovenier: Unë do të befasohesha nëse në këto rrethana aktuale, rrethana ku nuk ka gatishmëri të lartë për vizita të nivelit të lartë, çoftë nga zyrtarët e ShBA-ve në Kosovë apo ata të Kosovës në ShBA.

Berat Buzhala: Edhe për Kryeministrin Kurti?

Jeff Hovenier: Siç e thashë do të isha shumë i befasuar nëse në këtë gjendje ku jemi tani do të kishte gatishmëri për vizita të nivelit të lartë.