Gjendja e Papa Françeskut vazhdon të jetë kritike

Gjendja e Papa Françeskut vazhdon të jetë kritike pasi ai pësoi një “krizë të zgjatur respiratore, e ngjashme me astmën” më herët të shtunën, më 22.02.2025, ka njoftuar Vatikani.

Në deklaratë thuhet se Ati i Shenjtë është “më i sëmurë se dje” dhe ka marrë transfuzione gjaku, raporton BBC.

Vatikani bëri të ditur se 88-vjeçari është i vetëdijshëm dhe ndodhet në kolltukun e tij, por ka nevojë për furnizim me oksigjen dhe prognoza e tij “mbetet e pasigurtë”.

Papa po trajtohet për pneumoni në të dy mushkëritë në Spitalin Gemelli në Romë.

Transfuzionet e gjakut u konsideruan të nevojshme për shkak të një niveli të ulët të trombociteve, i cili lidhet me aneminë, tha Vatikani.

“Gjendja e Atit të Shenjtë mbetet kritike” – thuhet në deklaratë. “Papa nuk është jashtë rrezikut.”

“Ati i Shenjtë vazhdon të jetë i vetëdijshëm dhe e ka kaluar ditën në një kolltuk, edhe pse ka vuajtur më shumë se dje” – shtoi deklarata.

Papa u shtrua për herë të parë në spital më 14.02.2025 pasi kishte përjetuar vështirësi në frymëmarrje për disa ditë.

Më herët, Vatikani kishte njoftuar se Papa Françesku nuk do të shfaqej në publik për të udhëhequr lutjen me pelegrinët të dielën, më 23.02.2025, që do të thotë se ai do të mungojë në këtë ngjarje për të dytën javë radhazi.

Të premten, më 21.02.2025, mjekët e tij thanë se nuk kishte ndonjë rrezik të menjëhershëm për jetën e tij, por se ai “nuk është jashtë rrezikut”.

Gjendja e tij është përshkruar më parë si e ndërlikuar.

Papa është veçanërisht i prirur ndaj infeksioneve të mushkërive për shkak të pleuritit – një inflamacion rreth mushkërive – të cilën e zhvilloi si i rritur, dhe sepse në moshën 21-vjeçare iu desh të hiqte një pjesë të njërës mushkëri.

Gjatë 12 viteve të tij si lider i Kishës Katolike Romake, Papa argjentinas është shtruar disa herë në spital, përfshirë në mars 2023, kur kaloi tre netë në spital për shkak të bronkitit./BBC