Ilustrim

Ferizaj, Policia zbulon se i dyshuari inskenoi rastin e grabitjes

Policia e Ferizajt ka arritur të zbardhë rastin që ishte raportuar si grabitje.

Sipas njoftimit të Policisë,i dyshuari e kishte inskenuar rastin.

Në njoftim thuhet se A.L., 29-vjeçar kishte lajmëruar Policinë se më 31 korrik në një rrugë të Ferizajit disa persona të panjohur i kishin marrë një zinxhir floriri gruas së tij dhe sipas tij ata ishin me një automjet me targa të Shqipërisë.

“Pas këtij informacioni janë angazhuar të gjitha njësitet në terren, në kërkim të personave dhe auomjetit të dyshuar, ndërkohë që viktima është dërguar në qendrën emergjente, pasi kishte kërkuar trajtim mjekësorë”, njofton Policia.

Hetuesit policorë kanë siguruar prova të mjaftueshme materiale dhe deklarative që ky rast nuk kishte ndodhur.

Policia njofton që pas intervistimit nga policia dhe në prani të avokatit mbrojtës, personat që kanë raportuar rastin e kanë pranuar se ishte një inskenim, pasi që kishin një mosmarrëveshje në familje.

Të dyshuarit A.L. i është inicuar edhe një rast tjetër – bashkëjetesë jashtëmartesore me personin nën moshën 16- vjeçare, ngaqë sipas Policisë viktima R.Sh. është nën moshën 16-vjeçare.

Me vendim te prokurorit të Prokurorisë së Ferizajt, dy rastet mbeten në procedurë të rregullt.