Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Enver Hoxhaj: Albin Kurti është zhdukur, të vetmet paraqitje i pati në fushatën zgjedhore në Shqipëri

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se kryeministri Albin Kurti prej se mori detyrën është parë vetëm në fushatën zgjedhore në Shqipëri, kurse tani është zhdukur.

Ai përmes një postimi në Facebook tha se mungesa e vaksinave, programit, ndarja e 11 milionë eurove për pagesën e energjisë për komunat në veri janë disa nga dështimet e tij duke shtuar se deklaratat e tij të vetme janë mbrojtja e qëndrimeve skandaloze të kabinetit të tij qeveritar.

Hoxhaj theksoi se listës se këtyre skandaleve i prin ministrja Donika Gërvalla, e cila “vazhdimisht flet për krimet kinse të UÇK-së, por nuk po flitet për gjenocidin serb në Kosovë”.

Ai tutje shtoi se sot në Kuvend është dashur që ministrja Gërvalla të kërkojë falje e jo të marrë në mbrojtje Serbinë.

Hoxhaj  theksoi se PDK nuk do  zmbrapset para asnjë presioni, pasi sipas tij, Kosova ka një kryeministër hije me qeveri praktikantësh.

Më poshtë keni postimin e plotë të Enver Hoxhajt:

“Albin Kurti është zhdukur. Të vetmet herë që u pa prej se e mori detyrën si kryeministër ishin shfaqjet e tij gjatë zgjedhjeve në Shqipëri duke ndërhyrë në politikën e brendshme të një shteti. Mungesa e vaksinave, mungesa e programit qeverisës, e transparencës për dialogun, ndarja e 11 milionë eurove për pagesën rrymës së serbëve dhe bizneseve të tyre në veri janë disa nga dështimet e para të plotësuara këto ditë edhe me skandalet e ministrave të tij. Ai është vetëm hija e një kryeministri, që të vetmet deklarata politike i ka “mbrojtjen dhe arsyetimin e qëndrimeve skandaloze të vartësve në kabinetin qeveritar”.
E para në listë është ministrja Donika Gërvalla-Schwarz e cila nuk po ndalet së foluri dhe me vetëdije për “krimet” kinse të UÇK-së. Ende nuk e dëgjuam asnjë fjalë për krimet dhe gjenocidin serb në Kosovë. Kulmi ishte sot në Kuvend, ku në pritje të një kërkimfalje prej saj ndaj mijëra viktimave shqiptare në Kosovë, ajo shkoi më tej duke e marrë në mbrojtje Serbinë. Në vend se të tregoj për planet si ministre e jashtme në cilën organizatë do të aplikoj Kosova dhe ku ka ngecur procesi i njohjeve, ajo zgjodhi konfliktin me opozitën.
Por përpjekja e sotshme e saj dhe e bashkëpartiakëve për t’ia mbyllur gojën opozitës dështoi. Sepse PDK nuk do të nënshtrohet dhe zmbrapset para asnjë presioni. Sepse Kosova ka një kryeministër hije me qeveri praktikantësh, që agjendën ia diktojnë ministrat e tij me skandale dhe jo me punë për të cilën janë votuar masivisht nga qytetarët e Kosovës.”
https://kallxo.com/lajm/tensione-ne-kuvend-opozita-leshon-sallen/