Emërimi i kreut të policisë shton tensionet etnike në qytetin malazez

Aktivistë të partisë politike pro-serbe zhvilluan një protestë dhe raportohet se kënduan këngë nacionaliste në qytetin verior të Pljevljas, pasi qeveria malazeze caktoi një boshnjak si shef të policisë lokale.

Aktivistët nga partitë e Frontit Demokratik pro-serb dhe Mali i Zi Demokratik, të cilat janë pjesë e aleancës qeverisëse të vendit, organizuan një protestë në Pljevlja të martën, duke i bërë thirrje qeverisë të ndryshojë vendimin e saj për të caktuar Haris Djurdjeviç, një boshnjak, si kreun e policisë lokale.

Mediat raportuan se disa protestues që u mblodhën pranë stacionit të policisë po këndonin këngë nacionaliste dhe brohorisnin: “Sparta Serbe është zgjuar, ky vend nuk do të bëhet Turqi”.

Emërimi i Djurdjeviçit erdhi pas një serie incidentesh të motivuara etnikisht vitin e kaluar në qytet, i cili ka një popullsi të madhe boshnjake.

Fronti Demokratik dhe Mali i Zi Demokratik thanë se duke emëruar Djurdjeviçin, qeveria po merrte “qëndrimin e papranueshëm” të fajësimit të serbëve për incidentet.

“A është një veprim i arsyeshëm kundërshtimi i nacionalizmit serb duke emëruar në një post udhëheqës në polici një njeri të cilin i gjithë qyteti e njeh për pikëpamjet e tij ekstreme politike dhe nacionaliste?” pyetën palët në një deklaratë të përbashkët.

Ata pretenduan gjithashtu se Djurdjeviç është i afërt me Partinë Demokratike të Socialistëve, partia që u mposht në zgjedhjet e vitit të kaluar pas rreth tre dekadash në pushtet.

Partitë e opozitës i bënë thirrje qeverisë të ndërhynte, duke thënë se protesta po mbahej sepse Djurdjeviçi është anëtar i një pakice etnike.

“A është ky hapi demokratik përpara që lajmëroi qeveria? Do të thosha se ky është më shumë një kthim pas në errësirën e viteve 1990″, tha Nihad Canoviç nga Social Demokratët e opozitës.

Kreu i Komunitetit Islamik në Malin e Zi, Rifat Fejziç, gjithashtu pretendoi se pas protestës qëndronte paragjykimi etnik kundër emërimit të një boshnjaku në krye të forcës lokale të policisë.

“Nëse nuk kemi të drejtë të emërohemi në poste të caktuara, mund të na përgjigjeni nëse kemi drejtë të marrim frymë?” pyeti Fejziç me sarkazëm në një mesazh në TWitter.

Djurdjeviç nuk ka bërë asnjë koment në lidhje me protestën, deri më tani.

Në shtator të vitit të kaluar, sulmues të panjohur thyen dritaret në zyrën e Komunitetit Islamik në Pljevlja, organi zyrtar që përfaqëson myslimanët e vendit, dhe hodhën një mesazh përmes një dritareje të thyer që paralajmëronte se “Pljevlja do të jetë Srebrenica” – qyteti në Bosnjë dhe Hercegovinë ku forcat serbe të Bosnjës vranë më shumë se 8,000 boshnjakë në korrik 1995.

Në atë kohë, partitë e opozitës, të cilat tani janë në qeveri, u bënë thirrje autoriteteve që të gjenin autorët e këtij akti, por ata nuk u ndoqën kurrë penalisht.

Mali i Zi është një shtet multi-etnik në të cilin asnjë komunitet nuk ka shumicën absolute. Rreth 45 për qind e popullsisë e identifikojnë veten e tyre si malazezë dhe rreth 29 për qind e tyre janë serbë.

Boshnjakët përbëjnë afërsisht 8.3 për qind të popullsisë dhe kryesisht jetojnë në qytetet veriore të Rozajes, Pljevljas, Bijelo Poljes, Petnjicas, Plavës dhe Gucisë.