Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Edhe një futbollist i thotë ‘PO’ kombëtares së Kosovës

Kombëtarja e Kosovës ka marrë një lajm të mirë para dy ndeshjeve miqësore. Futbollisti mesfushor Orges Bunjaku edhe zyrtarisht i ka thënë “PO” përfaqësimit të Kosovës në futboll.

Kjo është bërë e ditur nga Federata e Futbollit të Kosovës përmes një njoftimi për media.

“Futbollisti i talentuar kosovar, Orges Bunjaku ka qëndruar sot në FFK, ku është pritur nga presidenti Agim Ademi dhe KE i FFK-së. Në këtë takim është zyrtarizuar vendimi i lojtarit për t’iu bashkuar Kombëtares së Kosovës” thuhet në njoftimin e FFK-së.

Sipas njoftimit, Bunjaku ka lindur në Zvicër dhe deri më tash ka përfaqësuar këtë shtet në të gjitha ekipet kombëtare të grup moshave.

Momentalisht Orges Bunjaku luan për ekipin e ligës së dytë në kampionatin francez, Grenoble.

“Bunjaku ka lindur në Zvicër dhe deri tash ka përfaqësuar këtë shtet në të gjitha ekipet kombëtare të grup moshave. Megjithatë, tani ka vendosur ta dëgjojë zemrën dhe ta përfaqësojë vendlindjen e prindërve të tij. 20-vjeçari aktualisht luan në kategorinë e dytë të futbollit francez, Grenoble, ku u transferua nga skuadra e njohur zvicerane, Basel”, thuhet më tutje në njoftimin e FFK-së.

Bunjaku luan në pozitën e mesfushorit qendror. Këtë sezon për Grenoblen ka zhvilluar 13 ndeshje. Ai ka kontratë me Grenoblen deri në vitin 2024.

Bunjaku ka zhvilluar takime për Kombëtaren e Zvicrës për grup- moshat U15, U16, U17, U18, U19 dhe U20.