Dr. Fauci hedh poshtë komentet e ish-drejtorit të CDC-së për coronavirusin

Eksperti i lartë amerikan i sëmundjeve infektive Dr. Anthony Fauci tha të premten se besimi i shprehur nga ish-drejtori i Qendrave të Kontrollit të Sëmundjeve (CDC) të Shteteve të Bashkuara se virusi që shkakton COVID-19 e ka origjinën tek një laborator, është thjesht mendimi i tij dhe se shumica e ekspertëve të kujdesit shëndetësor publik nuk janë dakord me këtë tezë.

Dr. Fauci, i cili foli gjatë një konference të rregullt shtypi të Ekipit të Përgjigjes ndaj COVID-19 në Shtëpinë e Bardhë, po u referohej komenteve të ish-drejtorit të CDC-së Robert Redfield i cili ishte emëruar nga ish-presidenti, Donald Trump.

Në një intervistë për një dokumentar në televizionin CNN, zoti Redfield tha se ai besonte se virusi u krijua në një laborator dhe doli që andej, jo domosdoshmërisht me qëllim. Ai tha se ky ishte mendimi i tij që ai mund ta shprehte tani që është qytetar privat.

Kur u pyet për komentet e zotit Redfield, Dr. Fauci tha se i njihte mirë këto komente dhe tha se ishte vetëm një nga teoritë për origjinën e virusit. Ai tha se beson se bazohet në idenë se kur virusi u identifikua për herë të parë në fund të dhjetorit të vitit 2019, ai dukej se ishte i përshtatur mirë për transmetimin mes njerëzve, duke krijuar idenë se mund të ishte përshtatur në laborator.

Por Dr. Fauci tha se shpjegimi i pranuar nga shumica e eskpertëve të shëndetësisës është se virusi kishte qarkulluar në Kinë për disa javë, deri edhe një muaj, para se të pranohej klinikisht, duke i dhënë kohë të mjaftueshme për t’u përshtatur me njerëzit.

Kur u pyet për të dhënë një mendim mbi teorinë e Dr. Redfield, Drejtorja aktuale e CDC -së, Rochelle Walensky tha se ajo nuk kishte asnjë mendim zyrtar mbi origjinën e virusit. Ajo iu referua një studimi mbi prejardhjen e virusit që po kryhet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe tha se ajo pret me padurim përfundimet. e tyre mbi këtë çështje.

Në komente paraprake në përgjigje të pyetjes nëse virusi e kishte origjinën nga një laborator, drejtuesit e hulumtimit të OBSH-së thanë se besonin se gjasat ishin shumë të vogla.

Komentet e ish-drejtorit të CDC-së

Me komentet e tij Dr. Robert Redfield u shtohet radhëve të atyre që mbështesin një teori të hedhur poshtë nga shumë epidemiologë ndërkombëtarë, e cila i ka shtuar tensionet midis Kinës dhe Perëndimit.

“Unë ende mendoj se varianti më i mundshëm për shfaqjen e këtij patogjeni në Wuhan është se ai do të ketë dalë, ose ka shpëtuar nga një laborator,” tha në një intervistë televizive me CNN, Dr. Redfield, i cili kryesonte CDC nën administratën Trump.

“Nuk është e pazakontë që patogjenët e frymëmarrjes që analizohen në një laborator të infektojnë një punonjës të tij,” tha ai.

Sipas Dr. Redfield, nuk ka gjasa që një sëmundje me burim tek lakuriqët e natës – siç besojnë shumë ekspertë – të bëhej kaq shpejt një nga viruset më infektive që njeh njerëzimi për transmetimin nga njeriu tek njeriu”. Por ai shtoi se nuk po thoshte që lëshimi i virusit ka qenë i qëllimshëm.

Opinioni i zotit Redfield është në të njëjtën linjë me atë të zyrtarëve të tjerë të administratës Trump si ish-Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, i cili tha kohët e fundit se ekzistonin një “sasi e konsiderueshme provash” që virusi vinte nga një laborator, por pa dhënë ndonjë provë në mbështetje të argumentit të tij.

Kreu i ekipit të udhëhequr nga OBSH-ja tha në muajin shkurt se lakuriqët e natës mbeten një burim i mundshëm, duke përjashtuar në thelb mundësinë që virusi të ketë shpëtuar nga laboratori./VOA