Demelezi: DASh po i përmend përfitimet e ish pushtetarëve në Bujqësi, me Qeverinë Kurti nuk do të ketë keqpërdorime

Imri Demelezi, zëvendësministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural përmes një publikimi në Facebook ka thënë se Departamenti Amerikan i Shtetit ka raportuar për keqpërdorimet me Grante në Bujqësi.

Sipas tij, të gjitha keqpërdorimet që janë bërë nuk kanë mundur të ndodhin pa lejen dhe miratimin e nivelit të lartë politik.

“Duhet cekur që keqpërdorimi i fuqisë është praktikë që ka filluar disa vite më herët me grante e subvencione, që vite qytetarët kanë pas njohuri për keqpërdorime por vetëm së fundi kanë parë veprime nga organet e rendit dhe ligjit vetëm për një pjesë të saj. Një proces i gjatë, ndër vite, i keqpërdorimit nuk ka mundur të ndodh pa lejen dhe miratimin apo mosveprimin e nivelit të lartë politik. Prandaj, kompanitë përfituese EDHE Departamenti Amerikan i Shtetit i përmend që janë të lidhura me politikën”, ka shkruar Demelezi.

Demelezi ka thënë se tashmë Qeveria Kurti ll është e përkushtuar që keqpërdorimet në bujqësi të denoncohen dhe për to të vendosin organet e rendit.

Tutje zëvëndësministri ka shtuar se të gjitha qeverisjet e kaluar kanë përfituar nga keqpërdorimi i projekteve për të cilat kanë ngritur në këmbë edhe organet e drejtësisë me aksionet e fundit në këtë dikaster.

“E rëndësishme është të dihet për këtë skemë të përmendur nga Departamenti Amerikan i Shtetit është se subjekte të ndryshme kanë të ndara veç e veç, me projekte të ndryshme si përfitues. Pra, kjo le të nënkuptohet se këta janë dakorduar paraprakisht, Lista serbe 1, tjetri 1, tjetri 1 në total të 4 projekteve nga afërsisht 1 milion fonde publike secili. Kur ka qenë qëllimi te përfitimet në kurriz të vendit, janë marrë vesh mirë në mes veti, ku emërues të përbashkët kanë përfitimin apo dëmtimin”, ka shtuar më tej Demelezi.

“Qeveria Kurti, do të bëj më të mirën e mundshme për politika të drejta dhe të mirëfillta e transparente për fermerët dhe operatorët tjerë, duke shtuar buxhetin dhe duke u siguruar që të arrij fermerët dhe operatorët ekonomik meritorë. Andaj, të denoncohen të gjithë ata që në sinkron bashkëpunojnë kundër zbatimit të mirëfilltë të politikave shtetërore, rendit dhe ligjit”, ka përfunduar ai.

Prokuroria Speciale e Kosovës në muajin shkurt ka ngritur aktakuzë kundër 21 të pandehurve në rastin e njohur si “Subvencionet I”.

Aktakuza është ngritur kundër 11 të pandehurve si persona zyrtarë dhe dhjetë të tjerë si përfitues të subvencioneve.

Aktakuzë kundër 21 personave për rastin “Subvencionet I”