Bislimi takon deputetët grekë, shpalos procesin e dialogut dhe integrimeve

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, gjatë vizitës zyrtare në Athinën zhvilloi takime ndarazi në ndërtesën e Parlamentit të Greqisë, me deputetët Dora Bakoyannis dhe George Papandreou.

Përgjatë këtyre takimeve, zëvendëskryeministri Bislimi potencoi se Kosova vazhdon drejt rrugës së progresit, duke e pozicionuar vendin në një trajektore të zhvillimit dhe demokracisë. Si dëshmi më të fundit të këtij indikatori, ai paraqiti raportin e demokracisë të institutit V-Dem, ku Kosova renditet e para në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Bisedat e zhvilluara u fokusuan dhe në rrugëtimin në proceset e integrimit evropian të Kosovës dhe aplikimet për anëtarësim në BE dhe në Këshillin e Evropës, e po ashtu dhe në lidhje me marrëdhëniet Kosovë-Greqi, thuhet në njoftimin e kryeministrisë, ku theksohet objektivi i Kosovës për të forcuar miqësinë dhe partneritetin me Greqinë.

Në këto takime me deputetët grekë, zëvendëskryeministri Bislimi bisedoi dhe mbi procesin e dialogut, zhvillimet dhe takimin e fundit në Bruksel./Rtklive