Bislimi: Shpresoj të mos jem pjesë e Qeverisë së re - VIDEO

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi në një intervistë për KALLXO.com ka folur rreth mundësisë së përfshirjes së tij në Qeverinë Kurti.

I pyetur se a do të jetë pjesë e ekzekutivit të ri kosovar, ai ka thënë se shpreson që jo.

“Shpresoj që jo. Edhe pse personalet nuk janë diskutuar në asnjë moment. Lëvizja Vetëvendosje ka jashtëzakonisht shumë kuadro të mira të cilat janë në gjendje me implimentu këtë program. Unë vlerën time të shtuar e shoh në akademi, shpresoj që personat rreth meje mendojnë njësoj”, ka deklaruar Bislimi.

Ai ka thënë se nuk janë diskutuar emra të përveçëm, ndërsa përsëriti se LVV ka kuadro për të udhëhequr me dikastere në ekzekutivin e ri. Njëjtë, ai tha edhe për LDK-në.

“Kurti në asnjë prononcim nuk ka folur për emra të përveçëm, ato që ju i keni parë në media janë spekulime të pastra mediale, po nuk janë spekulime qëllimmira. Nuk është se një medie mendon që Besniku mund të jetë një ministër i mirë, e pastaj e përdorë medien për rritje të presionit. Qëllimi mund të jetë ngritja e tensioneve eventuale të brendshme. Besomëni se personalet nuk janë diskutuar asnjëherë dhe besoj që ka me qenë problemi më i bogël tek të dy palët, jo vetëm te ne. Edhe LDK ka emra të mjaftueshëm të mirë që munden me i qu në poste qeveritare e po ashtu edhe Lëvizja Vetëvendosje. Ne kemi thënë që nuk lejojmë monopol mbi trurin, ne e dimë që në Kosovë nuk ka asnjë parti tru të mjaftueshëm për me qeverisë vendin. Jam optimist që nuk do të ketë fare problem në këtë drejtim”, deklaroi ai.

Në zgjedhjet e parakohshme nacionale, LVV doli si partia e parë në një diferencë të ngushtë me LDK-në.