Zëvendëskryeministri i Parë për Integrime Evropiane, Zhvillim, dhe Dialog, i Kosovës, Besnik Bislimi

Bislimi: Deklarata e ministres Gërvalla për BE-në, nuk është e pamatur

Zëvendëskryeministri për dialog në qeverinë e Kosovës Besnik Bislimi tha që nuk i konsideron të pamatura deklaratat e ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) Donika Gërvalla.

Në komisionin për integrime evropiane, Bislimi është pyetur nga deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi lidhur me deklaratat e Gërvallës se Kosova nuk i ka plotësuar kushtet për në Bashkim Evropian dhe që nuk duhet fajësuar BE-ja për këtë.

“Nuk po e di për cilat deklarata po i referoheni ju dhe cili është argumeti pastaj që të njëjtat me i konsideru si të pamatura, prandaj e kam të pamundur edhe me ju përgjigj. Unë përveti për asnjë deklaratë të zonjës Gërvalla nuk e përdori klasifikimin të pamatura. Ne BE-në nuk e kemi armik, nuk është krim nëse dikush e mbron BE-në. Është fakt që ne kushtet teknike për liberalizim i kemi plotësuar në vitin 2018, i vetmi problem është votimi në këshillin e Evropës”, tha Bislimi.

Në Forumin e Dubrovnikut, ministria e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla kishte thënë që Kosova nuk i ka plotësuar ende të gjitha kushtet, e që sipas saj nuk duhet të fajësohet BE-ja.

“Duhet të garantojmë lirinë e shtypit dhe të bëjmë reformë të vërtetë ligjore. Ne ende nuk kemi arritur aty. Dhe nuk asnjë arsye pse ta fajësojmë BE-në për gabimet tona. Askush nga ne nuk do të duhej të mashtronte veten duke thënë apo menduar që mund të hyjmë (në BE) pa i kryer punët tona”, ka thënë Gërvalla.

Ky deklarim i saj, kishte marrë kritika të shumta në Kosovë,

Në një reagim të saj të mëvonshëm, Gërvalla kishte thënë që deklaratat e saj janë shtrembëruar.

“Fabrikimi i lajmeve të rreme dhe mashtrimi i opinionit nuk është në rregull dhe nuk i bën nder as atyre që i publikojnë, dhe as atyre që më pas mezi presin t’i komentojnë mashtrimet e tilla”, ka shkruar Gërvalla.