Besnik Bislimi sqaron deklaratën e Kurtit që përmendi Joseph Goebbels

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili sot ka qenë pjesë e takimit në Bruksel mes kryeministrit, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka mohuar që Kurti të ketë krahasuar Vuçiqin me ish-nazistë të Gjermanisë.

Këtë Bilsimi e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, duke thënë se Kurti e ka theksuar vetëm faktin që Vuçiq është në pushtet gjatë.

“Sa për sqarim: në takimin e sotëm në Bruksel, Kryeministri Kurti nuk ka krahasuar Vuçiqin, Odaloviqin e Angjelkoviqin me Joseph Goebbels, Rudolf Hess e Hermann Goering, por vetëm faktin që këta që janë në pushtet në Serbi sot, është ngjashëm sikur ata të ishin në pushtet në Gjermani edhe pas Luftës së Dytë Botërore”, ka shkruar Bislimi.

Sot në Bruksel është zhvilluar rundi i ri i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Ky ishte takimi i parë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Presidenti serb ka deklaruar se ka pasur biseda të ashpra më Kurtin, ndërsa ky i fundit tha se nga katër propozime për temat në dialog, tri i janë refuzuar.

Kurse, i dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në një konferencë për media pas takimit Kosovë-Serbi, tha se takimi me kryeministrin, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq nuk ishte i lehtë.