Foto ZKM

Albin Kurti: Në mbledhjen e Qeverisë miratuam 28 vendime, prej tyre 12 projektligje

Kryeministri i Albin Kurti ka bërë të ditur se në mbledhjen e 96-të të Qeverisë kanë miratuar 28 vendime, prej tyre 12 projektligje.

Kurti shkroi në Facebook se mbledhjen e hapën më aprovimin e Projektligjit për Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Po ashtu, sipas Kurtit, iu hap rruga themelimit të Agjencisë për Siguri Kibernetike dhe Mbrojtje të Informacionit të Klasifikuar.

Qeveria po ashtu miratoi masa për kursim të energjisë, u themelua komisioni ekzekutiv për shëndetësi si dhe pagesat për specializantët.

U ndanë para për ringjallje të agro-turizmit si dhe ndërtimin e teatrit të Operas dhe Baletit.

Në mesin e këtyre vendimeve Qeveria po ashtu miratoi nismën për lidhjen e Marrëveshjes mes Kosovës dhe Hungarisë për njohjen reciproke të patentë shoferëve.

Njoftimin e plotë të kryeministrit Kurti lidhur me vendimet e mbledhjes së sotme të Qeverisë i gjeni më poshtë:

“Për drejtësi, zhvillim dhe siguri publike, në mbledhjen e 96-të miratuam 28 vendime, prej tyre 12 projektligje

Mbledhjen e hapëm me aprovimin e projektligjit për Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë. Krimet e kryera dhe dëmet e shkaktuara gjatë luftës duhen adresuar. Mbi të vërtetën, do të ndërtojmë mekanizma dhe institucione për ballafaqimin me të kaluarën.

Fusha e drejtësisë është një nga prioritetet tona. Andaj, miratuam projektligjin për Prokurorinë Speciale dhe Prokurorin e Shtetit, si hapa kyç në drejtim të përmbylljes së reformave të sistemit tonë prokurorial.

I hapëm udhë themelimit të Agjencisë për Siguri Kibernetike dhe Agjencisë për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar.

Miratuam masat për kursim të energjisë elektrike në institucione dhe ndërmarrje publike.

Themeluam Komisionin Ekzekutiv për Shëndetësi, për zbatimin e masave urgjente që do të sigurojnë funksionim normal të sistemit shëndetësor dhe do t’i hapin rrugë reformës në shëndetësi.

Për pagesën e specializantëve për periudhën shtator-dhjetor 2022, ndamë 2.61 milion euro.

18 milionë euro, për ringjalljen e fshatit përmes bujqësisë dhe agro-turizimit.

2 milion euro për inicimin e ndërtimit të ndërtesës së Teatrit, Operas dhe Baletit, si dhe realizimin e ndërhyrjeve në katër asete të trashëgimisë kulturore.

Me miratimin e projektligjit për programin IPA 2021, dhe më pas të ratifikimit të tij në Kuvend, Kosova do të përfitojë 63.96 milionë euro.

I dërguam Kuvendit për ratifikim Marrëveshjen e Bashkëfinancimit për Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit – ITP Prizren. Kontributi financiar nga Qeveria jonë është 8 milion euro, ndërsa nga ajo gjermane 5 milion euro.

Themeluam Autoritetin Qeveritar për Migrim dhe Komisionin për Ankesa për të Huajt.

Me Projektligjin e miratuar për Sigurinë e Përgjithshme të Produkteve synohet sigurimi i një niveli të lartë të mbrojtjes së shëndetit dhe sigurisë së konsumatorëve, si dhe parandalimi i konkurrencës jo të drejtë.

Për të lehtësuar qarkullimin rrugor dhe procedurat për njohjen reciproke të patentë shoferëve, miratuam Nismën për lidhjen e Marrëveshjes mes Kosovës dhe Hungarisë për njohjen reciproke të patentë shoferëve.

Shfuqizuam vendimin për ndalimin e përkohshëm të eksportit dhe ri eksportit të produkteve themelore agro-ushqimore, bazuar në vlerësimin se ka përmirësim të situatës në tregun e vendor.

Miratuam Programin për Parandalimin dhe Zvogëlimin e Barrës Administrative 2022-2027 dhe Planin e Veprimit 2022-2024.

Me qëllim të pjesëmarrjes së Kosovës në programet Bashkimit Evropian për bashkëpunim në fushën e tatimit dhe atë te doganave miratuam dy projektligje.

Miratuam nismën për lidhjen e marrëveshjes për pjesëmarrjen e Kosovës në “Programin e Evropës Digjitale për periudhën 2021-2027”. Marrëveshja ka për qëllim avancimin e vendit përmes granteve strategjike të BE-së.